Mazreku: Vetëm për dy muaj kompanitë e sigurimeve i paguan 10 milionë euro dëme

26 prill 2020 | 15:22

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka bërë me dije se vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 10 milionë euro dëme.

“Sipas të dhënave zyrtare që në i disponojmë si nga Banka Qendrore e Kosovës, ashtu edhe nga kompanitë e sigurimit shihet se vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2020 shuma e dëmeve të paguara është më e madhja që ka ndodh deri më tash, pra janë paguar 10 milionë euro”, ka thënë Mazreku në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i automjeteve të paregjistruara në vendin tonë është mbi 100 mijë.

Sipas Mazrekut, pandemia Covid-19 si çdo sektor tjetër financiar ka prekur edhe sektorin e sigurimeve, ku sipas tij, direkt dhe indirekt janë mbi 5 000 të punësuar. “Sipas të dhënave që në disponojmë numri i të punësuarave direkt në industrinë e sigurimeve është rreth 3 500, duke përfshirë edhe punëtorët që janë indirekt, atëherë mund të themi se numri i punëtoreve që përfitojnë nga industria e sigurimit është rreth 5 000”, u shpreh ai.

Mazreku ka thënë se përkundër vështirësive kompanitë kanë vazhduar punën. Ai ka thënë se falë një pune të madhe kanë arritur të sensibilizojnë opinionin që mos të dalin në rrugë me automjete pa polica të sigurimit.

Sipas Mazrekut, nëse edhe më tutje zgjatë epidemia dëmet për këtë sektor do të jenë shumë të mëdha.

Epoka e re”: Z. Mazreku, si është duke operuar sektori i sigurimeve në këtë kohë?

Mazreku: Sektori i Sigurimeve në vendin tonë është duke operuar njëjtë me vështirësi të mëdha, ashtu edhe sikurse korporatat e tjera financiare në vendin tonë si pasojë e pandemisë. Që nga fillimi ne si industri në mënyrë rigoroze kemi aplikuar të gjitha vendimet dhe masat e parapara si për mbrojtje të stafit, ashtu edhe për mbrojtje të klientëve. Në fillim të pandemisë shitja e policave nga ana e kompanive të sigurimit thuajse ka qenë në nivelin zero, por falë një angazhimi të madh të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet shtetërore kemi arritur ta sensibilizojmë opinionin, pasi që dalja në komunikacion pa policë të sigurimit në radhë të parë paraqet rrezik të madh për shoferin, por edhe për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion. Pas vendimit të institucioneve për reduktim të kohës për daljen e qytetarëve në rrugë, situata pak është vështirësuar, por ne po shpresojmë se jemi në fund të pandemisë dhe së shpejti po i kthehemi jetës dhe punës normale, pasi që dëmet financiare për industrinë janë të mëdha, por nëse vazhdon situata e njëjtë edhe më tutje thuajse do të jenë të papërballueshme.

 “Epoka e re”: Sa është shuma e dëmeve që kanë paguar kompanitë dhe a ka pasur ngecje për pagesa në saje të gjendjes së krijuar?

Mazreku: Sipas të dhënave zyrtare që ne i disponojmë si nga Banka Qendrore e Kosovës ashtu edhe nga kompanitë e sigurimit, shihet se vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2020 shuma e dëmeve të paguara është më e madhja që ka ndodhur deri më tash, pra janë paguar 10 milionë euro. Ky ritëm i shpejt i pagesës padyshim se është penguar nga pandemia, por edhe përkundër kësaj kompanitë janë duke trajtuar dhe paguar dëmet ashtu siç është e paraparë me ligjet e aplikueshme në vendin tonë.

“Epoka e re”: Sa i përket Pakos Emergjente, sa është e favorshme për industrinë të cilën e përfaqësoni ?

Mazreku: Nëse merren parasysh pagat e punëtoreve në sektorin e sigurimeve, shpenzimet e ndodhura gjatë kohës së krizës, atëherë përfshirja e sektorit në pako sadopak do ta kishte lehtësuar gjendjen e rëndë si në sektorin e sigurimeve ashtu edhe në gjithë sektorin financiar.

“Epoka e re”: Sa është numri i të punësuarve në këtë industri?

Mazreku: Sipas të dhënave që në disponojmë numri i të punësuarave direkt në industrinë e sigurimeve është rreth 3 500 duke përfshirë edhe punëtorët që janë indirekt, atëherë mund të themi se numri i punëtorëve që përfitojnë nga industria e sigurimit është rreth 5 000.

“Epoka e re”: Prisni që do të ketë rënie të të hyrave për shkak të gjendjes së krijuar?

Mazreku: Rënia e të hyrave ka ndodhur në pjesën e dytë të muajit mars. Ka ndodhur edhe gjatë muajit prill, por ne po shpresojmë se situata do të fillojë të përmirësohet gjatë muajit maj nëse institucionet fillojnë me lehtësim të masave për qytetarët.

 “Epoka e re”: Sa është numri i automjeteve të paregjistruara dhe cilin lloj prinë në këtë kategori?

Mazreku: Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, atëherë shohim se numri i automjeteve të paregjistruara në vendin tonë është mbi 100 mijë.

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën e 45 të përballjes me pandeminë, shifrat e…