
MBAHET KUVENDI I ANËTARËVE TË UNIONIT TË BIZNESEVE SHQIPTARO-GJERMANE
Më 6 dhjetor 2024, në Düsseldorf të Gjermanisë, u mbajt Kuvendi i Anëtarëve të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë përfaqësues të shumë bizneseve dhe të ftuar të veçantë.
Të pranishmëve iu drejtuan me fjalë përshëndetëse Kryetari i Unionit, z. Nazmi Viqa, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti, dhe Kryetari i Degës së Unionit në Kosovë, z. Shkëlzen Jusaj.
Pas pjesës ceremoniale, Kuvendi vazhdoi me diskutimin rreth pikave të rendit të ditës, ku Drejtori Ekzekutiv, z. Bekim Brestovci, dhe Zyrtarja për Financa, znj. Yllresa Shala, prezantuan raportin e punës dhe atë financiar. Në kuadër të projekteve për të ardhmen, ndër të tjera, u prezantuan: Darka e Investitorëve, zhvillimi i platformës digjitale, showroomi virtual, mbajtja e një panairi në Gjermani (fillimi i 2025) dhe themelimi i një shoqëria aksionare, si formë e investimeve të përbashkëta.
Gjatë punimeve, Kuvendi miratoi propozimin për plotësimin e statutit dhe, me iniciativën e Kryetarit të Unionit, Kryesia u plotësua me dy anëtarë të rinj: znj. Shkëndije Pacolli (e kooptuar paraprakisht) dhe z. Faton Shehu.
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane falënderon të gjithë anëtarët dhe të pranishmit për angazhimin e tyre në zhvillimin dhe forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare dhe gjermane.