Mbahet provimi pranues në universitetin “Kadri Zeka”

01 shtator 2021 | 15:51

Maturantët të cilët kanë aplikuar për të qenë studentë në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë mbajtur të mërkurën provimin pranues për Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik, derisa të martën janë mbajtur provimet për Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative për studimet bachelor për vitin akademik 2021/2022.

Prorektori për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve prof. asoc. dr. Xhevdet Thaqi, është shprehur i kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj, derisa të gjithë kandidatëve u kanë dëshiruar suksese.

Shpallja e rezultateve preliminare do të bëhet më 2 shtator në orën 16:00, në ndërkohë është paraparë edhe periudha e ankimit. Kandidatët të cilët sipas rezultatit preliminar renditen si kandidatë të papranuar, mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare (llogaritet edhe dita e shtunë).

Ankesat bëhen deri më 4 shtator në orën 16:00.

Universiteti publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2021/2022, do të regjistrojë 725 studentë të rregullt në studime bachelor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë muajit gusht janë…