
Mbahet punëtoria mbi pagesat e shpejta dhe projektin e TIPS Clone
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, organizoi një punëtori dedikuar pagesave të shpejta dhe platformës TIPS Clone, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit bankar dhe ekspertizës ndërkombëtare.
Në hapje, zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha, theksoi rëndësinë strategjike të pagesave të shpejta për sektorin financiar të Kosovës.
Ai nënvizoi se projekti, i cili është në zhvillim në bashkëpunim me Bankën e Italisë, është një ndër reformat më transformuese të infrastrukturës financiare të ndërmarra në vend.
Fusha gjithashtu potencoi se pagesat e shpejta, do të nxisin përfshirjen financiare, uljen e kostove të transaksioneve dhe krijimin e shërbimeve të reja digjitale, si pagesat përmes QR në shitje me pakicë dhe mundësi të reja për e-commerce, duke mundësuar inovacion, konkurrencë të drejtë dhe shërbime më të mira për përdoruesit.
Në emër të bashkë-organizatorit nga Shoqata e Bankave të Kosovës, kryeshefi ekzekutiv, Petrit Balija, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për implementimin me sukses të reformave të tilla transformuese.
Eksperti ndërkombëtar Kjeld Herreman, i angazhuar me mbështetjen e Bankës Botërore, për të pranishmit nga sektori financiar prezantoi aspektet teknike dhe operacionale të platformës së TIPS Clone, duke ndarë praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.
Diskutimet përfshinë, mundësitë që sjellin pagesat e shpejta për bankat dhe konsumatorët, kornizën ligjore dhe praktikat në Bashkimin Evropian, dokumentacionin e skemës dhe hapat e implementimit, menaxhimin e likuiditetit, sigurinë dhe parandalimin e mashtrimeve, si dhe ndikimin e operimit 24/7 në IT dhe proceset operative.