Mbahet punëtoria për planin strategjik 2026 – 2030: Drejt një universiteti bashkëkohor

07 prill 2026 | 11:32

Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i lartë publik i arsimit të lartë në vend dhe bartës i zhvillimit akademik, shkencor dhe shoqëror, organizoi punëtorinë e dedikuar për planifikimin e aktiviteteve në kuadër të hartimit të planit strategjik 2026-2030.

Kjo punëtori përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të një vizioni të përbashkët institucional, që synon avancimin e cilësisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe integrimin e plotë të Universitetit të Prishtinës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit.

Punëtoria u mbajt më 3 prill 2026, në ambientet e Modelariumit në Fakultetin e Arkitekturës, duke mbledhur përfaqësues të menaxhmentit qendror, dekanë, udhëheqës të divizioneve dhe drejtorive në kuadër të administratës qendrore, studentë dhe partnerë institucionalë, me qëllim konkretizimin e aktiviteteve dhe përcaktimin e indikatorëve të performancës në përputhje me objektivat strategjikë.

Ky proces është zhvilluar mbi parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe vendimmarrjes së bazuar në evidencë, duke reflektuar angazhimin institucional për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve.

Sesioni i parë i punëtorisë u hap me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të nivelit më të lartë institucional dhe partnerëve strategjikë, të cilët theksuan rëndësinë e Planit Strategjik 2026 – 2030 si një dokument orientues për zhvillimin afatgjatë të Universitetit të Prishtinës.
Prof. Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës, në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera, theksoi se: “Plani Strategjik 2026 – 2030 përfaqëson një moment kyç në zhvillimin e Universitetit të Prishtinës. Ky dokument nuk është vetëm një kornizë planifikimi, por një deklaratë e qartë e ambicies sonë për të ndërtuar një universitet bashkëkohor, të integruar në hapësirën evropiane të arsimit dhe kërkimit, ku cilësia, inovacioni dhe ndikimi shoqëror janë në thelb të çdo veprimi”.

Aqim Emurli, udhëheqës i projektit SHER, i cili është duke mbështetur universitetin në këtë proces të planifikimit zhvillimor, u shpreh: “Programi ‘Sustainable Higher Education and Research in Kosovo” (SHER) synon të kontribuojë në një sektor të qëndrueshëm, të bazuar në evidencë, të orientuar nga nevojat dhe të ndjeshëm ndaj barazisë gjinore në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit në Kosovë, i cili është plotësisht i harmonizuar me parimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, Hapësirës Evropiane të Kërkimit dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Plani Strategjik i Universitetit të Prishtinës përfaqëson një hap konkret në operacionalizimin e këtyre parimeve përmes transformimit institucional”.

Prof. Mimoza Ibrani, udhëheqëse e grupit punues dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, vlerësoi procesin duke theksuar se: “Puna e përbashkët ishte një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit institucional, ku secili kontribuoi me ekspertizën dhe përvojën e tij për të ndërtuar një plan strategjik gjithëpërfshirës, të bazuar në analiza dhe nevoja reale të zhvillimit universitar”.

Prof. asoc. Majlinda Gjelaj, prorektore për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, e cila udhëhoqi këtë punëtori, deklaroi se: “Përmes këtij plani, synojmë të vendosim një kulturë të qëndrueshme të cilësisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm, duke e vendosur studentin dhe performancën institucionale në qendër të çdo vendimmarrjeje”.

Gjatë sesioneve punuese, pjesëmarrësit e angazhuar në mënyrë aktive kontribuuan me reflektime dhe vlerësime të rëndësishme mbi përmbajtjen dhe drejtimin e Planit Strategjik 2026 – 2030.

Diskutimet u karakterizuan nga një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese, ku u theksua rëndësia e forcimit të kulturës institucionale të cilësisë, zhvillimit të dialogut ndërmjet njësive akademike dhe menaxhmentit, si dhe përfshirjes reale të studentëve në proceset vendimmarrëse.

Punëtoria nxori në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet njësive akademike dhe menaxhmentit qendror për zhvillimin e ideve inovative dhe të zbatueshme, duke theksuar gjithashtu rolin thelbësor të përfshirjes së studentëve në proceset vendimmarrëse si një hap drejt një universiteti më demokratik dhe gjithëpërfshirës.

Plani përqendrohet në rritjen e cilësisë akademike, përmirësimin e përvojës studentore, zhvillimin e kërkimit dhe inovacionit, zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, fuqizimin e qeverisjes institucionale dhe avancimin e transformimit digjital.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albulena Haxhiu që ka marrë detyrën e u.d presidentes së…