
Mbahet trajnimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve për anketën e ICT 2025
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave po zhvillohet trajnimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve për anketën e ICT 2025.
Në këtë trajnim, pjesëmarrësit po njihen me aplikacionin CAPI – mjetin modern për mbledhjen digjitale të të dhënave në terren; Përmbajtjen e pyetësorit – përfshirë edhe modulin e Anketës së Përdorimit të Kohës (Time-Use Survey); Sistemin qendror të ASK-së – i cili mundëson monitorim në kohë reale të çdo aktiviteti në terren, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe besueshmërinë e të dhënave.
ASK-ja ka njoftuar se i kushton rëndësi të veçantë kësaj ankete, pasi rezultatet e viteve të kaluara treguan se Kosova ka një nga normat më të larta të qasjes në ICT në Evropë – një arritje që e pozicionon vendin si shembull pozitiv dhe motivon ASK-në të vazhdojë me përkushtim për sigurimin e të dhënave cilësore.
ASK-ja ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe stafin që po kontribuojnë në suksesin e këtij projekti.