
Mbahet trajnimi “Roli i gazetarisë në çështjet evropiane dhe ndërkombëtare…”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka organizuar një punëtori të dedikuar për gazetarët ukrainas që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë në Kosovë, me fokus në rolin e gazetarisë në çështjet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe luftën kundër propagandës dhe dezinformimit.
Nën temën “Gazetaria si Fuqi e Katërt: E vërteta, Llogaridhënia dhe Ballafaqimi me Propagandën”, punëtoria shpalosi mënyrat se si gazetaria ndihmon në ndriçimin e realitetit në kohë krize, kontribuon në drejtësi tranzicionale dhe mban institucionet përgjegjëse përpara publikut. Trajnimi u zhvillua në format interaktiv, me ligjërata dhe punë në grupe, ku gazetarët patën mundësinë të diskutojnë mbi përvojat e tyre personale dhe të eksplorojnë mjete konkrete për raportim etik dhe profesional në kontekste post-konfliktuale.
Gjatë trajnimit u trajtuan tema si roli i medias në mbrojtjen e të vërtetës dhe promovimin e llogaridhënies në kontekstet ndërkombëtare; sfidat e raportimit në kohë krize dhe luftës kundër dezinformimit; rëndësia e gazetarisë në dokumentimin e krimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; praktikat nga Kosova në raportim mbi drejtësinë tranzicionale.
Diskutimet e hapura dhe reflektimet grupore në fund të trajnimit shërbyen si hapësirë për shkëmbim të përvojave mes kolegëve nga Ukraina dhe shembujve nga rajoni, duke forcuar frymën e solidaritetit dhe profesionalizmit gazetaresk në mjedise të ndjeshme.
Ky aktivitet është pjesë e përkushtimit të AGK-së për të mbështetur gazetarët që punojnë në mjedise të ndjeshme dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave.
Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe i implementuar nga AGK-ja.
Ky program mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt.
Nga programi Journalists in Residence – Kosovo, deri më tani kanë përfituar 19 gazetarë nga Ukraina, prej të cilëve tetë kanë përfunduar me sukses periudhën gjashtëmujore të strehimit në Kosovë.