Mbappe e barazon rekordin e Ronaldos dhe Ronaldinhos

28 tetor 2025 | 11:50

Real Madrid e nënshkroi Kylian Mbappen me shpresën për ta parë të shkëlqejë në momentet më të rëndësishme – dhe nuk ka skenë më të madhe se “El Clasico”.

Që nga mbërritja e tij në “Santiago Bernabéu” në verën e vitit 2024, ylli francez ka përmbushur çdo pritshmëri, duke qenë vendimtar herë pas here kundër rivalëve të përjetshëm, Barcelonas.

Duke mbajtur fanellën me numrin 9 – të njëjtin që dikur e vishte Cristiano Ronaldo – Mbappe ka përballuar presionin dhe ka dhënë maksimumin në rivalitetin më të madh të futbollit.

Goli i tij i fundit, një goditje e fuqishme pas asistit të Jude Bellingham, hapi rezultatin në “Bernabéu” dhe konfirmoi statusin e tij si një nga lojtarët më dominues në botë.

Me këtë gol kundër Blaugranasve, Mbappe u bë vetëm lojtari i tretë në shekullin XXI që shënon në katër “Clasico” radhazi.

Dy të vetmit që e kanë arritur këtë më parë janë Ronaldinho (mes viteve 2004 dhe 2006, me pesë gola) dhe Cristiano Ronaldo (në vitin 2012, me shtatë gola në gjashtë ndeshje).

Sulmuesi francez tani ka gjashtë gola në katër ndeshje kundër Barcelonës, duke iu bashkuar një klubi elitar lojtarësh që kanë përcaktuar historinë e këtij rivaliteti legjendar.

Që nga debutimi i tij në “El Clasico”, Mbappe i ka përjetuar të gjitha – humbje të rënda, ndeshje spektakolare me shumë gola, disfatë të ngushta – por edhe paraqitje ikonike, si tripleta e tij në humbjen 4-3 në Kataloni dhe dominimi i tij në rritje në “Bernabéu”.

Pas 44 golave në sezonin e parë me Real Madridin, Mbappé synon t’i kalojë ato shifra në sezonin aktual 2025-26.

Me një hat-trick në Ligën e Kampionëve kundër Kairat Almaty dhe një nisje të zjarrtë në LaLiga, ambiciet e francezit shkojnë përtej golave – ai po ndjek trofetë dhe një trashëgimi të denjë për ikonat më të mëdha të Madridit.

Në moshën 26-vjeçare, Kylian Mbappe nuk po tregon vetëm se është krijuar për ndeshjet e mëdha – ai po dëshmon se është i destinuar të bëhet legjendë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Investime e përmirësime të shumta janë bërë e po bëhen…