
Mbappe fiton ‘Këpucën e Artë’ dhe trofeun ‘Pichichi’
Pavarësisht një sezoni të vështirë për Real Madridin, Kylian Mbappe ka arritur të shkëlqejë në aspektin individual, duke fituar dy nga çmimet më prestigjioze për një sulmues: “Këpucën e Artë” dhe trofeun “Pichichi”.
Me një dopietë ndaj Real Sociedad në ndeshjen e fundit të sezonit, sulmuesi francez ka lënë pas në renditje golashënuesin e Sporting Lisbona, Viktor Gyökeres, dhe ka siguruar për herë të parë në karrierë “Këpucën e Artë”, e cila jepet nga “European Sports Media” që prej vitit 1997 për golashënuesin më të mirë të ligave evropiane.
Mbappe e ka mbyllur sezonin e tij të parë në La Liga me 31 gola, duke fituar gjithashtu edhe çmimin “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll. Në vend të dytë për “Këpucën e Artë” u rendit Viktor Gyökeres me 39 gola, por francezi e kaloi falë koeficientit më të lartë të vështirësisë që u aplikua për La Ligën në krahasim me kampionatin portugez.
Podiumin e plotësoi Mohamed Salah i Liverpoolit me 29 gola. Ky sukses personal i Mbappe vjen si përgjigje e fortë ndaj kritikëve që e quajtën një “dështim” transferimin e tij te Real Madridi.