
Mbappe i kalon Ronaldon, Benzeman e Raulin në Champions, por jo edhe Messin
Me tre golat e shënuar ndaj Kairat Almatyt, Kylian Mbappe i është bashkuar grupit të gjashtë futbollistëve që i kanë shënuar nga 60 gola në Ligën e Kampionëve.
Yllit francez iu nevojitën 89 ndeshje në garën më prestigjioze të futbollit evropian për t’i kaluar Cristiano Ronaldon, Karim Benzeman e Raul Gonzalezin, të cilëve u janë nevojitur më shumë ndeshje për ta arritur këtë shifër golash.
Legjenda e Real Madridit, Raul i kishte shënuar 60 gola pas 115 ndeshjesh të zhvilluara.
Topit të Artë, Benzema i ishin dashur 111 ndeshje për ta arritur këtë numër golash, kurse “CR7” e kishte bërë këtë pas 98 ndeshjesh të zhvilluara.
Me tre golat e mbrëmshëm në Kazakistan, Mbappe hyri në mesin e tre lojtarëve që i kanë shënuar më së shpejti 60 gola.
Lionel Messi është i pari në këtë listë pasi i shënoi kaq gola për 80 ndeshje, kurse Robert Lewandowski është i dyti me 85 ndeshje (60 gola).
Sa i përket moshës, Mbappe u bë lojtari i dytë më i ri që e arrin shifrën e 60 golave me 26 vjet e 284 ditë, kurse primatin absolut e mban Lionel Messi me 26 vjet e 86 ditë.
“CR7” e kishte arritur këtë numër golash me 29 vjet e 21 ditë, derisa Raul renditet në vendin e katërt me 30 vjet e 237 ditë.
Tutje renditen Karim Benzema e Robert Lewandowski me nga 31 vjet.
Mbappe njëherësh hyri në histori të Real Madridit pasi iu bashkua Ronaldo Nazarios, Karim Benzemas dhe Cristiano Ronaldos, duke u bërë lojtari i katërt i “Los Blancos” që arrin të shënojë “hat-trick” jashtë “Santiago Bernabeut” në Ligën e Kampionëve.
Kampioni i botës me Francën po ashtu lëvizi në pozitën e gjashtë si golashënuesi më i mirë në Champions duke e kaluar Thomas Mullerin, i cili është ndalur në 57 gola.
Përfaqësuesi francez në fakt i ka shënuar 5 gola në këtë edicion të këtij kompeticioni pasi paraprakisht kishte shënuar dy herë ndaj Marseillet në xhiron e parë të fazës së ligës.
Natyrisht, ish-futbollisti i Monacos dhe i Paris Saint-Germainit do të mundohet t’i kalojë edhe yjet tjerë, por do ta ketë të vështirë ta arrijë rekordin e pabesueshëm dhe primatin absolut të Cristiano Ronaldos me 140 gola në Ligën e Kampionëve.
Natyrisht, do ta ketë të vështirë ta zë edhe Leo Messin, i cili i kishte shënuar 129 gola në Champions, kurse Lewandowski është i treti me 105 gola.
Tutje, Benzema i ka shënuar 90 gola, kurse Raul 71.