
Mbappe padit sërish PSG-në
Kylian Mbappe ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj ish-klubit të tij, Paris Saint-Germain. Sulmuesi aktual i Real Madrid ka paditur klubin francez për tentativë shantazhi dhe dëme morale, lidhur me ngjarjet që ndodhën gjatë verës së vitit 2023.
Sipas mediave franceze, dy gjyqtarë hetues janë caktuar për të ndjekur çështjen dhe për të hetuar akuzat e ngritura nga lojtari. Mbappe kërkon një dëmshpërblim milionësh, duke pretenduar se PSG e ka dëmtuar rëndë gjatë procesit të rinovimit të kontratës së tij, kur ai po afrohej nga Real Madridi.
Në atë periudhë, klubi parisien e kishte përjashtuar nga skuadra, duke e lënë jashtë planeve të ekipit si formë presioni, gjë që sipas Mbappe-së përbën një formë shantazhi dhe cenim të rëndë të dinjitetit të tij.
Kjo çështje pritet të shkaktojë debat të madh në ambientin sportiv francez dhe evropian, duke hedhur dritë mbi tensionet që shoqëruan largimin e ‘yllit’ francez nga PSG.