
Mbërrin në Kosovë grupi i parë i haxhilerëve
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar në Prishtinë kanë mbërritur 473 haxhilerë, të cilët kanë përfunduar obligimin e tyre fetar në vendet më të shenjta të islamit.
Grupi i parë që u kthye sot përfshin haxhilerë nga komunat e Prizrenit, Malishevës, Skenderajt, Drenasit, Kamenicës, Suharekës, Podujevës, Lipjanit dhe Rahovecit.
“Me fytyra të buzëqeshura dhe me lot gëzimi në sy, haxhilerët e Kosovës kanë filluar sot kthimin nga vendet e shenjta. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, familjarë të shumtë kanë përqafuar më të dashurit e tyre pas përfundimit me sukses të haxhit. Gjatë mesditës së sotme, kanë mbërritur në Prishtinë 473 haxhilerë, të cilët kanë përfunduar obligimin e tyre fetar në vendet më të shenjta të Islamit. Të emocionuar dhe mirënjohës, ata e kanë përshkruar këtë udhëtim si rrugëtimin e jetës’, duke theksuar se përjetimet në Mekë dhe Medine janë të papërshkrueshme”, ka njoftuar BIK-u.
Sipas BIK-ut, sonte në mbrëmje dhe gjatë ditës së nesërme, pritet kthimi edhe i grupeve të tjera të haxhilerëve.