Mbi 1 mijë 400 zyrtarë ende s’e kanë deklaruar pasurinë, edhe tri ditë afat
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë me dije se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026 në mesditë: 7 482 zyrtarë publikë ose 72.32 për qind kanë përfunduar deklarimin, 1 394 ose 13.48 për qind janë në proces dhe 1 469 ose 14.20 për qind nuk e kanë filluar fare deklarimin.
“Nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar, mbi 1 400 ende mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt shkeljen e afatit ligjor”, ka njoftuar APK-ja.
Sipas kësaj agjencie, tri ditët në vijim janë vendimtare dhe çdo mosveprim brenda këtij afati aktivizon automatikisht mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj.
“Deklarimi i pasurisë nuk është opsional – është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30 për qind të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon – veproni tani”, citohet në komunikatë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, raporton “Kosovapress”.
Agjencia ka rikujtuar se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë, përveç mostransparencës dhe llogaridhënjes ndaj publikut, përbëjnë edhe shkelje të drejtpërdrejta të obligimeve ligjore dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë masa administrative dhe procedura penale.
APK-ja ka theksuar se mbetet në dispozicion për mbështetje teknike dhe sqarime gjatë gjithë periudhës, por thekson se përgjegjësia për deklarim në kohë është individuale dhe e pa transferueshme.



