Mbi 162 milionë euro nga BE-ja për Serbinë, Varhelyi: Kemi plan të ri për Ballkanin
Në Beograd është nënshkruar paketa e re vjetore e ndihmës së para-anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian (IPA) në vlerë 162.2 milionë euro.
Komisionari evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, në një video-mesazh të publikuar para nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se BE-ja është investitori dhe partneri tregtar më i madh i Serbisë dhe se është e gatshme të vazhdojë të investojë në partneritet dhe bashkëpunim.
“Serbia bëri një zgjedhje strategjike për të qenë pjesë e aleancës së vendeve të forta dhe të begata. BE-ja bëri një zgjedhje strategjike kur filloi procesin e negociatave me Serbinë. Ato negociata do të çojnë në anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE dhe unë jam plotësisht i përkushtuar për ta realizuar atë”, ka thënë ai, raporton “Danas”-i.
Zgjerimi i BE-së është në krye të agjendës së BE-së, ka thënë Varhelyi, duke shtuar se liderët e BE-së i kanë ngarkuar Komisionit Evropian përshpejtimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Më tutje, ai ka thënë se BE-ja tani po punon për një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të përshpejtojë integrimin e tij në BE.
“Qëllimi është forcimi i konvergjencës ekonomike dhe sociale bazuar në katër shtylla – përshpejtimi i integrimit të tregut të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së përpara anëtarësimit, forcimi i integrimit ekonomik rajonal, zbatimi dhe përshpejtimi i plotë i reformave dhe rritja e fondeve të para-anëtarësimit”, ka thënë zyrtari i lartë i BE-së.



