Mbi 30 mijë qytetarë janë testuar për COVID-19 që nga fillimi i pandemisë
Mbi 30 mijë persona janë testuar nën dyshimin se janë të infektuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë në Kosovë. Prej tyre, si të infektuar kanë rezultuar pozitivë mbi 5 mijë e 400, raporton Express.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dje ka publikuar të dhënat e fundit rreth situatës epidemiologjike në vend. Sipas IKShP’së, nga testimi i 459 mostrave, pozitive kanë rezultuar 103 prej tyre.
Instituti ka njoftuar se janë regjistruar edhe gjashtë vdekje.
Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara deri tash ka arritur në 5 mijë e 472, me gjithsej 124 raste të vdekjes të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Më datë 16 korrik 2020, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.640 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.708”, thuhet në njoftim.
Rastet që u konfirmuan dje janë nga Prishtina, Podujeva, Ferizaj, Mitrovica, Drenasi, Prizreni, Gjilani, Vushtrria, Fushë Kosova, Shtimja, Suhareka, Kacaniku dhe Skenderaj.
https://www.facebook.com/IKSHPK/posts/2912248058903179



