Mbi 4 500 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore janë refuzuar

12 shtator 2025 | 08:13

4,532 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore janë refuzuar nga koordinatorët e shkollave, të cilët këtë vit po bëjnë verifikimin e nxënësve që kanë të drejt të subvencionohen.

Koordinatorët nëpër shkolla kanë verifikuar 196,405 aplikime, nga të cilat 191,873 janë aprovuar.

Këto statistika i ka ndarë Ministria e Arsimit për KALLXO.com, më 11.09.2025, sipas të cilëve, deri më tani gjithsej janë 202,291 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore.

Siç e ka konfirmuar edhe MASHTI, 5,886 aplikime pritet që të verifikohen nga koordinatorët e shkollave.

Nga MASHTI thonë se buxheti i ndarë për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore në vitin shkollor 2025/26, është në vlerë prej 12,800,000 euro.

“Pagesat e realizuara të fazës së parë dhe dytë, janë në vlerë prej 12,800,000 euro. Numri i prindërve që janë në pritje që t’iu ekzekutohet subvencionimi është 21,198 dhe vlera e pagesës është 1,695,760 euro”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, më 11.09.2025.

Nagavci kishte njoftuar më 21.08.2025 se janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore.

Ky është viti i tretë që Ministria e Arsimit e aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, veçse këtë herë po i subvencionon me nga 80 euro nxënësit e klasave 1 – 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe 80 euro për nxënësit e klasave 6 – 9 për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, disa prindër u ankuan për vlerën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, pasi e konsideruan të pamjaftueshme.

Aplikimi për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore bëhet në platformën e-Kosova nga prindërit, i cili u hap më 15.08.2025.

Secila shkollë ka koordinatorin e shkollës i cili e ka mundësinë që në sistemin e platformës e-Kosova t’i filtrojë prindërit që aplikojnë për subvencionim duke deklaruar se i kanë fëmijët në atë shkollë.

Koordinatori i shkollës ka mundësi teknike që të mos e aprovojë subvencionimin po qe se prindi nuk e ka fëmijën në atë shkollë e deklarohet si i/e tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri ndër drejtuesit e Këshillit Organizativ për Zvicër, Shaip Kadriaj,…