Mbi 6 000 raste aktive me Covid në Kosovë
Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë shfaqur 842 raste të reja me Covid-19, si dhe ka vdekur një person që ishte i prekur me këtë virus.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të shëruar janë 110 persona, ndërsa 6,418 raste janë aktive me Covid-19.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se 66 pacientë janë duke u trajtuar nga Covid-19, në kuadër të klinikave të QKUK-së dhe të spitaleve të përgjithshme. “32 pacientë janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe 34 në spitalet e përgjithshme”, ka njoftuar ShSKUK-ja.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që të barten maskat në ambiente të mbyllura dhe të merren vaksinat kundër Covidit.
“Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të Covid-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatkeqësisht sot është raportuar një rast i vdekjes nga kjo sëmundje! Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të Covid-19, sepse pandemia Covid-19 nuk ka mbaruar. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve. Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë”, ka njoftuar IKShPK-ja.
                        


                                        
                                        
                                        
                                        
                                        
                                        