
Mbi një mijë qytetarë kërkuan trajtim jashtë vendit
Mbi 1 mijë e 100 pacientë nga Kosova gjatë vitit të kaluar janë detyruar të kërkojnë mbështetje financiare nga shteti për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) kanë thënë se nuk kanë arritur t’i sigurojnë të gjitha shërbimet, mirëpo janë duke investuar që kjo të ndryshojë në te ardhmen.
Ndërsa Shoqata për të Drejtat e Pacientëve e sheh shqetësuese faktin se shumë shërbime shëndetësore qytetarët duhet t’i marrin në vendet e tjera.
Klinikat që më së shumti kanë referuar pacientë për shërim jashtë vendit janë Klinika e Ortopedisë, Pediatrisë, Oftalmologjisë, e Hematologjisë. Ndërsa, pacientët që vuajnë nga sëmundje malinje janë ata të cilët më së shumti kërkuan trajtim në spitalet jashtë vendit.
Divizioni për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë “KosovaPress”-it se nga qeveria fillimisht ishin ndarë 6 milionë euro, ndërsa me rishikim të buxhetit janë shtuar edhe 3 milionë të tjera.
Ky institucion ka pranuar 1 122 aplikacione, prej të cilave 451 janë raste të rregullta dhe 671 janë raste urgjente.
Sipas të dhënave të këtij divizioni, Shqipëria, Maqedonia e Turqia janë ndër shtetet që më së shumti pacientët kosovarë kërkojnë trajtim për sëmundjet që vuajnë dhe nuk trajtohen në institucionet publike në Kosovë.
Ndërsa fëmijët dhe adoleshentët janë kryesisht ata që kërkojnë mbështetje financiare nga shteti.