Mblidhet KQZ-ja, pritet të vendosë për fushatën zgjedhore të raundit të dytë
Sot, duke filluar nw orwn 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe pika kryesore në rend të ditës do të jetë miratimi i planit të aktiviteteve për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
Ky lajm është konfirmuar mëngjesin e së premtes nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Në mesin e këtyre aktiviteteve për të cilat do të vendosë KQZ janë edhe koha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Gjithashtu, KQZ do të vendosë për periudhën e aplikimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike garuese si dhe për konfirmimin e vëzhguesve të mediave, OJQ-ve, përfaqësive diplomatike etj.
Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.




