Mbreti suedez: Strategjia kombëtare ndaj koronavirusit ka dështuar

17 dhjetor 2020 | 15:34

Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë e ka përshkruar vitin 2020 si të “tmerrshëm” dhe ka thënë se strategjia kombëtare për koronavirus ka dështuar.

Ai i ka bërë këto komente në një fjalim vjetor televiziv nga ana e familjes mbretërore.

Suedia është kritikuar për një qasje ndryshe të pandemisë së koronavirusit, duke dhënë vetëm udhëzime dhe duke mos vendosur kurrë masë izolimi.

Ky shtet deri më tani ka regjistruar gati 350,000 persona të infektuar dhe më shumë se 7,800 viktima.

“Mendoj se kemi dështuar. Kemi një numër të madh të të vdekurve dhe kjo është e tmerrshme”, ka thënë mbreti.

“Populli i Suedisë është përballur me situatë jashtëzakonisht të vështirë. Kemi në mendje të gjithë anëtarët e familjeve që nuk kanë mundur t’iu thonë lamtumirë familjarëve të vdekur. Mendoj se kjo është përvojë e rëndë dhe traumatike, që të pamundësohet lamtumira e ngrohtë”.

Kur është pyetur nëse është i frikësuar nga infektimi me koronavirus, mbreti 74-vjeçar ka thënë: “Së fundmi, e kam ndjerë më afër e më afër. Kjo nuk është diçka që dëshironi”.

Në vend të aplikimit të sanksioneve ligjore, Suedia ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe detyrë shoqërore gjatë përballjes me koronavirusin.

Suedia nuk ka zbatuar kurrë masë të izolimit, apo vendosje të maskave dhe restorantet kanë qenë vazhdimisht të hapura, raporton “Rel”.

Megjithatë, më herët gjatë kësaj jave, shkollat në rajonin e Stokholmit kanë nisur të aplikojnë mësimin online.

Të hënën janë dhënë edhe rekomandime për mbajtje të distancës fizike në kohën e Festës së Krishtlindjes.

Suedezët janë këshilluar që të takohen në grupe deri në tetë persona, kryesisht në ambiente të jashtme, nëse kanë mundësi, dhe që të shmangin udhëtimet me tren dhe autobus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë…