Mbrojtësi largohet nga Barcelona dhe firmos me rivalin e La Ligas

09 qershor 2025 | 16:55

Barcelona dhe Clement Lenglet do të ndajnë rrugët, pasi janë marrë vesh për ndërprerjen e kontratës të francezit, e cila kishte vlerë edhe për dy sezone tjera. Qendërmbrojtësi kaloi sezonin që sapo lamë pas si i huazuar tek Atletico Madridi.

29-vjeçari Lenglet kaloi te Barcelona në vitin 2018 nga Sevilla për shumën e 36 milionë eurove, derisa ka fituar gjithçka me klubin në futbollin spanjoll, mirëpo nuk ka qenë i preferuar në skuadër që tri sezone, duke i kaluar të gjitha si i huazuar.

Mirëpo, pas bisedimeve të gjata, Lenglet dhe Barcelona kanë rënë dakord për ta shkëputur kontratën e tij.

Pjesë e arsyes për arritjen e marrëveshjes ishte dëshira e Lengletit për të vazhduar tek Atletico, pas një sezoni ku pothuajse shumicën e ndeshjeve ishte startues.

Sipas Fabrizio Romanos, palët janë pajtuar që Lenglet të largohet nga Barcelona si lojtar i lirë dhe të nënshkruajë me Atleticon një kontratë trivjeçare.

Lenglet hoqi dorë nga një shumë e konsiderueshme parash për të nënshkruar me Atleticon, derisa Barcelona do të kursejë 16 milionë euro në sezon nga paga e tij.

Nëse kontratat nënshkruhen në kohë, atëherë Lenglet do të jetë i gatshëm të luajë me Atleticon në Kupën e Botës për Klube.

Gjithsej, Lenglet kishte bërë 160 paraqitje për Barcelonën, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar tri asistime.

Fillimisht, ai ishte i favorizuar në qendër të mbrojtjes, duke fituar një vend startues përkrah Gerard Piques, por më pas mbeti jashtë formacionit startues, duke kaluar në huazim te Tottenhami e Aston Villa, para kalimit tek Atletico sezonin e kaluar.

Lengleti fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës me Barcelonën.

Këtë sezon që e lamë pas, Lenglet është paraqitur në 34 ndeshje me Atleticon. Ai shënoi tri herë dhe asistoi dy herë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi ka njoftuar se nëntë lojtarë do të largohen…