Mbrojtja e liderëve të UÇK-së kërkon t’i lejohet apelimi i vendimeve për pranimin e disa provave

27 tetor 2025 | 15:44

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë kërkuar që trupi gjykues t’ua lejojë apelimin e një vendimi lidhur me pranimin në prova materiale të një videoje që Prokuroria e përdori me njërin nga dëshmitarët e mbrojtjes.

Përveç kësaj, mbrojtja ka kërkuar leje apelimi edhe për vendimin e shtimit të dy faqeve në një provë ekzistuese, ku pretendohet se flet për disa armë që janë përdorur në një sulm të koordinuar nga Veseli dhe Selimi kundër stacioneve të policisë serbe më 1997.

Sipas parashtrimit, videoja ishte pranuar më 30 shtator 2025 dhe më pas më 1 tetor u pranuan edhe dy faqe të provave. Edhe kjo pjesë, mbrojtja kërkon që të lejohet për apelim.

Sipas mbrojtjes, videoja i ishte prezantuar dëshmitarit Paul Williams më 17 shtator 2025, e i cili kishte thënë se nuk kishte njohuri mbi videon dhe as informacionin që po diskutohej në atë.

Në këtë seancë, pranimin e kësaj videoje e kishte kundërshtuar edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ndërsa Prokuroria kishte thënë se po paraqitet me qëllim të diskreditimit të dëshmitarit.

Videoja kishte të bëjë me Veton Surroin dhe Dukagjin Goranit, të cilët kishin biseduar për sjelljen e Thaçit në Rambuje.

Pretendohet se ata deklaruan që Thaçi kishte përdorur gjuhë kërcënuese ndaj anëtarëve të delegacionit shqiptar.

Sipas mbrojtjes, trupi gjykues kishte thënë se kjo video nuk kishte lidhje me dëshmitarin dhe as s’ishte e rëndësishme për besueshmërinë e tij, por lidhet mjaftueshëm me çështjen thelbësore të rastit. Si rrjedhojë, videoja ishte pranuar.

Ndërsa, dy faqet shtesë që iu shtuan një prove ekzistuese më 1 tetor 2025, mbrojtja thotë se Prokuroria i paraqiti ato dy faqe nga një intervistë që i atribuohet njërit prej të akuzuarve gjatë kundërpyejeve të saj ndaj një dëshmitari, e që ky i fundit kishte thënë se nuk i kujtoheshin ato ngjarje.

Sipas dokumentit, mbrojtja e ka kundërshtuar pranimin e këtyre dy faqeve pasi dëshmitari s’kishte dhënë asnjë koment për dokumentin, ndërsa trupi gjykues kishte thënë se materiali është i rëndësishëm.

Sipas mbrojtjes, trupi gjykues vazhdimisht ka refuzuar pranimin e dokumenteve që janë paraqitur përmes një dëshmitari kur ai dëshmitar nuk ka qenë në gjendje që të komentojë përmbajtjen e tyre.

Mbrojtja thotë se ngjashëm ishte vepruar edhe më 17 shtator 2023, kur u pranua një kundërshtim i Prokurorisë ndaj një prove të mbrojtjes, me arsyetimi se nuk ekziston ndonjë lidhje ndërmjet dëshmitarit dhe dokumentit të propozuar.

Sipas mbrojtjes, pranimi i artikujve që Prokuroria ka dështuar që të vërtetojë një lidhshmëri në mes tyre dhe dëshmitarit, përbën devijim të praktikave të mëparshme të këtij trupi gjykues dhe nga precedentët ndërkombëtarë.

Ndërsa, për çështjen e dytë për të cilën mbrojtja ka kërkuar leje apelimi, thuhet se ka të bëjë me dy faqe shtesë të pranuara në prova, e që lidhen me veprimet dhe sjelljen e Selimit dhe Veselit, pasi ato i referohen përfshirjes së tyre në furnizimin me armë përpara periudhës së aktakuzës.

Mbrojtja thotë se sipas Prokurorisë, këto armë janë përdorur gjatë një sulmi të koordinuar kundër disa stacioneve policore serbe në shtator 1997.

Në dokument, mbrojtja pretendon se akuzat nuk përmbajnë asnjë referencë të përfshirjes së dy të akuzuarve në veprime të tilla dhe se nuk është paraqitur asnjë provë tjetër për këtë gjatë fazës kryesore të Prokurorisë.

Mbrojtja thotë se këto dy faqe janë përdorur gjatë pyetjeve ndaj dëshmitarit Sokol Bashota dhe se ajo që i është lexuar dëshmitarit nuk e përmend përfshirjen e Selimit në këto veprime, e as Bashota s’ka dhënë ndonjë koment lidhur me sjelljen e Selimit dhe Veselit siç përshkruhet në këto dy faqe dokumenti.

Paraqitja e këtyre dy faqeve nga Prokuroria me dëshmitarin e mbrojtjes, kjo e fundit thotë se përbën përpjekje që Prokuroria ta rihap rastin e saj.

“Trupi gjykues i pranoi dy faqet duke argumentuar se ato janë relevante për z. Thaçi dhe rolin e tij. Megjithatë, nuk është bërë asnjë shqyrtim lidhur me rëndësinë për z. Selimi apo Veseli”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

Mbrojtja thekson se Prokuroria e ka për detyrë që të paraqes të gjitha provat lidhur me fajësinë e të akuzuarve gjatë fazës së saj kryesore.

Andaj, mbyllja e rastit të Prokurorisë tregon që të gjitha provat inkriminuese janë vendosur para trupit gjykues, sipas mbrojtjes, siguron të drejtën e të akuzuarve për t’u përballur me provat kundër tyre.

Sipas mbrojtjes, në të kundërtën përpjekjet për të zgjeruar veprimet dhe sjelljen e atribuuar ndaj një bashkë-të akuzuari që ka zgjedhur që të mos paraqes rast të tij, nuk janë qëllim i pranueshme i kundërpyetjeve.

Kjo për shkak se mbrojtja vlerëson që shkakton paragjykim që rrjedh nga lejimi i Prokurorisë që të rihapë rastin e saj.

Mbrojtja kërkon që Paneli i Apelit të shqyrtojë dy çështje kyçe për mënyrën e pranimit të provave, duke pretenduar se vendimet aktuale kanë krijuar paqartësi juridike, paragjykim ndaj bashkë të akuzuarve dhe cenim të së drejtës për një gjykim të drejtë.

Ndërhyrja e Apelit, sipas saj, do të ndihmonte në standardizimin e procedurës dhe përshpejtimin e procesit gjyqësor.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë.

Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe…