MBROJTJA KA EMËR – UÇK
Dr. Valbona Emini Pllaha, Doktor i shkencave gjuhësore dhe studiuese e koncepteve mbi parandalimin e mizorive masive dhe gjenocidit
Politikat ndërkombëtare të kohëve të pasluftës në Kosovë në emër të normalizimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve artificialisht korrekte dhe diplomatike nxisin ngatërresa që shpesh cenojnë dhe dënojnë më të prekurit. Destabiliteti shoqëror vjen pikërisht nga këto lojëra e strategji politike që nuk i përcaktojnë qartë rolet dhe nuk marrin masat e duhura për abuzuesit, pushtuesit, armiqtë, e po ashtu e zvogëlojnë rolin e mbrojtësit dhe përpjekjen për çlirim dhe drejtësi të të pushtuarit, viktimës së luftës.
Teatri absurd i këtyre strategjive politike fillon me manipulime provash nga pushtuesit dhe vazhdon me procese të stërgjatura në sallat më prestigjoze të gjyqeve ndërkombëtare ku drejtësia duhet të jetë sublime dhe të qëndrojë mbi palët. Tejzgjatja e proceseve e po ashtu vonesa e vendimmarrjeve të domosdoshme me pretendimin e pamjaftueshmërisë së provave apo dëmtimit të tyre, është tregues i ndërhyrjeve politike e diplomatike që tjetërsojnë trajtimin si duhet të materialeve, dëshmive dhe fakteve të mbledhura.
Edhe hamendësimi halucinant për dëmtim provash është rezultat i mosndëshkimit në kohë dhe si duhet i të gjithë shkaktarëve të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ndaj ndëshkimi në kohë i fajtorëve që e shkaktuan atë duhet të ishte veprim i ndërmarrë me kohë dhe duhet të shërbente si garanci që proceset po vijonin vërtet në linja të drejta e të duhura dhe jo në linja të diktuara e të devijuara. Përndryshe, vonesa që shpesh nuk shkon në favor të viktimës, krijon terrenin e duhur për tjerrjen e sajesave të reja, ushtrimin e presionit të vazhdueshëm ndaj dëshmimtarëve, mobilizimin politik e diplomatik në fshehjen dhe zhbërjen e të vërtetave, si dhe angazhimit mediatik për shpërndarjen e manipulimeve të tjera propaganduese serbe.
Ndaj që drejtësia të realizohet si duhet dhe kur duhet, çështjet lipset të trajtohen tërësisht mbi të vërteta dhe të mos tejzgjaten dhe ndërlikohen, tjetërsohen apo kamuflohen nën terma juridikë, politikë e diplomatikë.
Për të kuptuar vërtet këtë pengmarrje disavjeçare edhe në kohë paslufte, mjafton të shohim fatin e udhëheqësve të UÇK-së, të cilët po burgosen e gjykohen në një kalvar të stërgjatë seancash e procesesh gjyqësore. Për të qartësuar rolin e komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së mjafton të trajtohen ngjarjet makabre të ndodhura në Kosovë, kryesisht në dekadën e fundit të shek. XX. Kam bindjen që e vërteta kuptohet edhe nëse trajtohet veç njëra prej tyre, pa qenë nevoja as për procese të komplikuara në të ashtuquajturat institucione të drejtësisë ndërkombëtare.
Nëse sot përballemi me faktin që Luftën Çlirimtare po përpiqen ta përkthejnë në akte kriminale kjo nuk ngjason aspak me të vërtetën sesa me koklavitjen politike dhe gjeopolitike për interesa që nuk përputhen me drejtësinë. Një përpjekje tinëzare absurde duke marrë parasysh faktin që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një ushtri që luftoi kundër një ushtrie tjetër dhe fatmirësisht me rezolutën 1199 të miratuar nga vetë Këshilli i Sigurimit të OKB-së, është zhveshur[1] nga etiketimet terroriste të propaganduara serbe.
Madje edhe ish zyrtarë të lartë amerikanë, anglezë, francezë po dëshmojnë të vërtetat e tyre në Hagë në mbrojtje të UÇK-së, e po ashtu edhe ish Komandantë të NATOS, që edhe ata janë përpjekur njësoj si UÇK-ja të ndalin gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mes tyre Wesley Clark[2] ndërkohë që ka folur për sulmet e pandërprera serbe me artileri ndaj refugjatëve shqiptarë që nën dhunë u detyruan të braktisin shtëpinë dhe vatanin e tyre është shprehur qartë për pozicionin dhe rolin e UÇK-së në luftë duke treguar se: ‘Ne e dimë që UÇK-ja po bën më të mirën që mundet për të mbrojtur refugjatët’, ai e specifikon se UÇK-ja po mbron dhe po bën më të mirën. Fakti që Clark edhe sot vazhdon të jetë një ndër zërat mbrojtës të UÇK-së në Hagë, tregon qartë se e vërteta që ai ka parë i reziston çdo kohe dhe nuk mund të manipulohet nga askush.
Por pavarësisht vendimeve dhe dëshmive të njëpasnjëshme në mbrojtje të UÇK-së, ajo sërish, arbitrarisht vijon të gjendet në bankën e të akuzuarve dhe pse veprimet e saj ishin sulme që lidheshin ngushtësisht me zgjidhjen e çështjes së popullit shqiptar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. UÇK-ja veproi për të zmbrapsur pushtuesin që ju erdhi në tokën e tyre, në vazhdimësi e pabesi, që ju erdhi i egër dhe i pamëshirshëm. Sulmet e UÇK-së ishin vendime të jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme, veprimet e UÇK-së ishin thirrje për liri. Ndaj s’guxoj të mendoj se gjykatat e nivelit të lartë mund të pretendojnë se komandantët e UÇK-së duhet të ndërmerrnin vendime paqësore dhe nuk duhet t’i përgjigjeshin sulmit agresiv të pushtuesve.
Nisur nga ky kontekst i drejtoj një thirrje përfaqësuesve të drejtësisë: – Nëse provat janë vërtet të rëndësishme mos i shihni ato përmes rreshtave të shkruara në raporte e procesverbaleve diplomatike të ndërtuara, manipuluara dhe diktuara nga prokuroria e qeveria Serbe dhe raportues të ndikuar nga ta, madje edhe nga ata të prezantuar nën petkun e emërtimeve ndërkombëtare, një prej të cilëve Dick Marty.
Drejtësia nuk mund të bazohet të ajo çka ofrojnë ata që prodhuan padrejtësinë.
Ju ftoj të mos bazoheni në burime të stisura por të dilni në terren atje ku është më e qartë e zeza mbi të bardhë, atje ku ende ju presin shenjat e luftës dhe gjymtimet që janë dëshmi e ‘gjallë’ e vdekjes, sulmit dhe tmerrit që është jetuar dhe jo e asaj që hamendësohet apo pretendohet.
Ju them se ato prova do ju ndihmojnë të rindërtoni ngjarjet e vërteta të së shkuarës fatkeqe dhe do të kuptoni nevojën jetike të shqiptarëve për mbrojtje, kundër pushtuesit serb. Atje nuk do të gjeni librat e bardhë[3] të shkruar, e rishkruar, me lista të dubluara e manipuluara, por do të shihni mermerët e bardhë me të vërtetën e vetme dhe padrejtësinë e gdhendur mbi ta.
Nëse gjendeni vërtet në vështirësi për të qartësuar rolin e UÇK-së ju ftojmë të shkoni në Mejë, Prekaz, Suharekë, Poklek të Vjetër, Reçak e mbi 80 vende të tjera ku ndodhën masakrat çnjerëzore masive, mes tyre 1392 fëmijë, 1739 gra shqiptare të vrara dhe mbi 20 mijë femra dhe meshkuj të përdhunuar seksualisht. Secila nga këto masakra përmban të gjithë elementet e gjenocidit. Zgjidhni të trajtoni veç një prejt tyre dhe do i merrni të gjitha përgjigjet dhe provat e nevojshme që kërkoni.
Shkoni në Prekaz, kulla ju pret me gjithë plagët dhe heshtjen e saj. Ajo do ju tregojë për sulme e bombardime, do ju dëshmojë për vrasje dhe masakra, dhe do ju pyesë se ku janë banorët e saj, ku janë sot Jasharët? Përse jeta e tyre nuk gëzon brenda kullës por hesht në varrezat përballë?
Nëse këto prova janë pak, lexoni vitet e jetëve të masakruara, ato nuk janë thjesht emra, dhe as dëshmi e një masakre të vetme, ato janë dëshmi e 7 dekadave të shfarosura brenda 72 orëve (më i vjetri 74 vjet dhe më i riu 7 vjeç). Nëse nuk ju bindin varrezat shihni fotot dhe videot e dokumentuara, ato do ju tregojnë intesitetin e vërtetë të sulmit serb.
Kulla me gjithë gjymitmet në strukturën e saj, nuk kërkojnë ekpertiza të mëdha për t’u deshifruar, as grupe të tëra pune, as vite të tëra verifikimesh. Ajo është ‘procesverbali’ dhe raporti objektiv që ta rindërton me saktësi ngjarjen sikur të jetë ende duke ndodhur. Te kulla janë shenjat që i kanë rezistuar kohëve dhe flasin vetë, klithin, rrëfejnë shumë, ndërkohë që presin të vendoset drejtësia! E vetmja gjë që kulla kërkon, Kosova kërkon: janë njerëzit, prokurorët, gjyqtarët, politikat dhe institucionet që ta shohin të vërtetën në sy, ashtu si është dhe të marrin vendimet e duhura, ashtu si duhet të jenë!
Por kulla nuk do t’ju tregojë veç tmerrin e jetuar, kulla e gjymtuar do ju sqarojë qartë rolet: kush ishte sulmuesi dhe kush ishte viktima! Do ju shpjegojë qartë thelbin e filozofisë së luftës dhe gjithë gjenocidit në Kosovë. Do ju dëshmojë se sulmi dhe armiku ju erdhi te shtëpia, te vatra, te plaku, gruaja, motra e fëmija. Do ju rrëfejë se qëllimi i Serbisë ishte të vijonte pushtimin e territorit shqiptar, të shkatërronte vatrat e tyre, të realizonte spastrimin etnik duke dëbuar, masakruar dhe zhdukur gjakun shqiptar prej fëmijës deri te plaku, duke vrarë trashëgiminë dhe historinë njëkohësisht.
Ajo do ju rrëfejë edhe për fatet e Komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Do ju tregojë se Komandantët u vranë!
Po ju ç’do i thoni? Se komandantët që mbetën gjallë po mbahen peng dhe të akuzuar?
Prekazi dhe gjithë masakrat e ndodhura në Kosovë do ju rrëfejnë se UÇK-ja nuk i rroku armët nga dëshira, UÇK-ja nuk sulmoi se ka dashur luftën[4] por sepse ju desh të zmbrapste armikun që u zaptoi vatanin ku kishin le ndër breza. UÇK-ja reagoi për të mos ju nënshtruar armiqve dhe padrejtësive, një e drejtë legjitime që e dikton edhe neni 5 i Konventës Universale të të Drejtave të Njeriut5.
Të përflitet roli i UÇK-së dhe Komandantëve është aq absurde dhe abuzuese po aq sa të thuhet se Blerina e vogël 7 vjeçare nuk ishte viktima por armikja në masakrën e Prekazit, njësoj si Lirije Muqolli, foshnja 6 muajshe që u dogj dhe masakrua në shtëpinë kremator në Poklek të Vjetër. Mund të vazhdoj me lista të gjata ‘sulmuesish’ të tillë të brishtë por janë lista me peshë të madhe jo vetëm të fatit të tyre por edhe padrejtësisë që po vijon t’ju bëhet.
Ndaj ju ftoj të vizitoni vendet e masakrave, atje ka ende shumë plagë që ju presin t’i shihni e verifikoni, ato do ja u tregojnë qartë mizoritë e ndodhura në Kosovë, ato mizori që ju i dini por keni vendosur t’i trajtoni ndryshe. Prekazi, Reçaku, Poklek i Vjetër, Mejë dhe gjithë masakrat në Kosovë janë dëshmia e së vërtetës por edhe qendresës, mbrojtjes dhe përballjes me të keqen, ndërsa UÇK-ja është forca që u krijua për të çliruar vendin nga pushtuesi, forca që mbrojti vatrën e vatanin, identitetin dhe vazhdimësinë! UÇK-ja është forca që luftoi për ta mbrojtur dhe trashëguar familjen dhe gjakun shqiptar!
Nëse e dënoni apo tentoni ta kriminializoni atë, nuk po e shihni të vërtetën në sy por po ndërtoni diskurse dhe politika që shumë shpejt do e drejtojnë sërish rrezikun në shtëpitë dhe trojet shqiptare. E këtë e ka treguar historia mbi njëshekullore e këtij konflikti.
Nëse i dënoni luftëtarët çlirimatarë me informacione të fabrikuara nga pushtuesi po paralajmëroni sërish masakra.
Nëse dënoni klithmat e Prekazit, Poklekut të Vjetër, Mejës, Reçakut e gjithë Kosovës po vijoni t’i masakroni sërish shpirtrat dhe të vërtetat e tyre!
UÇK-ja sulmoi padrejtësitë, ndaj mos i bëni sërish padrejtësi asaj!
[1] Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën e 1199 – 23 shtator 1998
[2] Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili udhëhoqi NATO-n gjatë luftës në Kosovë. Clark ka drejtuar fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, të cilat kryen gjenocid ndaj shqiptarëve.
[3] Shteti i Serbisë e ka botuar para, gjatë dhe pas luftës librin propagandistik i quajtur “Librat e Bardhë” ku janë prodhuar dhe sajuar shumë akuza ndaj UÇK-së. Librinështë shpërndarë në shumicën e vendeve të botës me qëllim arritjen e disinformimin të gjerë. Sajesat dhe gabimet e përmbajtjeve dhe listave të këtyre librave i ka trajtuar gjerësisht Bardhyl Mahmuti në veprën ‘Mashtrimi i madh’, Çabej, 2015 por gjithashtu edhe në veprën ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’ në shënjestër të vazhdueshme, Epoka e re, 2024
[4] Deklaratë politike nr.12 nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së – Mahmuti Bardhyl ‘Ushtria Çlirimtare e
Kosovës’ në shënjestër të vazhdueshme, fq.20, tetor 2024 5 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 5 – https://unmik.unmissions.org/sites/default/files/udhr_-_albanian.pdf



