Mbrojtja kundërshton pretendimin se Thaçi synonte marrjen nën kontroll të Kosovës
Avokatja Nina Tavakoli, ka thënë se Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit në qeverinë e përkohshme nuk kishte pushtet të vërtet.
“Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, ka thënë ajo, duke kujtuar dëshminë e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i qeverisë së përkohshme.
“Kryeministër ishte një titull, nuk ishte shtysë përmes së cilës ndërmarrja e përbashkët kriminale (term që ZPS-ja përdor në aktakuzë për t’iu referuar të akuzuarve dhe disa ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së) mund të jetësohej”, ka thënë ajo.
Tavakoli ka thënë se fillimisht, në ditët e para të UNMIK-ut, Thaçi kishte konkurruar me këtë institucion për pushtet, por më pas e pranoi autoritetin e kësaj administrate dhe bashkëpunoi me të.
Ajo ka ngritur pyetjen se si Thaçi synonte të merrte nën kontroll Kosovën, kur ai ishte pajtuar për çarmatosjen e UÇK-së, pranoi të bashkëpunonte me UNMIK-un, kishte pranuar humbjen në zgjedhje pasluftës deri më 2007, kur i fitoi ato.
Aktualisht, seanca është në pushimin e drekës.



