Mbrojtja: Thaçi nuk ka pasur motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet

04 prill 2023 | 10:18

Në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur deklaratën hyrëse që pritet të zgjasë tri orë.

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, në fjalën e tij hyrëse tha se klienti i tij nuk ka pasur motiv për të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.

Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës.

Sipas tij, atyre ju mungoi konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam të vendosim në kontekst”, tha ai.

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.

Sipas avokatit të Thaçit, Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen.

Avokati Gregory Kehoe tha se në ditën paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar tentoi të lidhë dokumente e komunikata për të dëshmuar se “kolaboracionistët ishin kërcënim ekzistencialë”.

“Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencialë. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por dha një shembull se si komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

“Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokalë”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, po konsultohet me avokatë në Kullën…