Mbrojtja thotë se ZPS nuk ka ofruar dëshmi se Selimi ka kontribuar në NPK
Mbrojtja e Rexhep Selimi ka vazhduar me argumentimin kundër pretendimit të ZPS-së për kontributin e të akuzuarit në NPK për kryerjen e krimeve të pretenduara.
ZPS-ja, ka thënë avokati Geoffrey Roberts, bazohet në autoritetet e pretenduar të Selimit dhe ky autoritet ka kontribuar në kryerjen e krimeve.
“Kjo është e pamjaftueshme”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se prokuroria nuk ka argumentuar se si e mbështet pretendimin se Selimi ishte inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së deri në korrik të vitit 1998.
Ai ka thënë se nuk ka prova për kohën kur Selimi është emëruar dhe nuk ofron asnjë dëshmitar për këtë çështje.
Lidhur me rolin e Selimit si inspektor, ZPS-ja, ka thënë Roberts, e ka vendosur atë në nivel të komandantit të përgjithshëm dhe ishte mbi drejtoritë.
“Asnjë dëshmitar nuk ka dhënë prova për këtë pikë dhe dëshmia e paqartë e Thaçit gjatë intervistimit nga ZPS-ja, që mbështetet kryesisht ZPS-ja, nuk mund të cilësohet e banueshme sepse Selimi s’pati mundësi t’i bënte pyetje zotit Thaçi”, ka thënë Roberts.
Ai ka argumentuar se Selimi nga ky post nuk kishte autoritet të shqiptonte masa disiplinore dhe as nuk është thënë nga Prokuroria se Inspektorati ka pasur strukturë.
Ai ka thënë se dëshmitë e vendosin Selimin si ndihmues apo asistent për komandantin e përgjithshëm nga posti i inspektorit.



