
Mbrojtje dhe investime në kufirin lindor të BE-së
Lufta në Ukrainë vijon të shqetësojë vendet kufitare me Rusinë. Shtetet e Baltikut, Polonia e Finlanda i kërkojnë Unionit të luftojë shpopullimin në zonat kufitare, duke rritur mbrojtjen dhe investimet.
Teksa Brukseli po përballej me një grevë të përgjithshme, e cila paralizoi gjithë qytetin gjatë së martës (14.10.2025), në një nga sallat e qendrës së kongreseve në ndërtesën “Square”, politikanë të nivelit të lartë të rajonit të kufirit lindor të Bashkimit Europian, diskutonin zgjidhje për të siguruar kufijtë e tyre dhe për të luftuar shpopullimin në vendet kufitare me Rusinë.
Bashkim forcash
Tetorin e çdo viti, Bashkimi Europian organizon në Bruksel aktivitetin „Java Europiane e Rajoneve dhe Qyteteve” (The European Week of Regions and Cities”, që u kushtohet politikave rajonale dhe urbane, me fokus të veçantë tek nivelet lokale dhe rajonale të qeverisjes. Slogani sivjet është: “Të ndërtojmë të nesërmen, së bashku”.
Dhe kur përmendet e tashmja dhe e nesërmja, lufta në Ukrainë dhe rreziku rus shqetëson fqinjët e tjerë. Ish-presidentë dhe ministra të vendeve si Polonia, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia, ndanë përvojat e tyre dhe diskutuan temat me rëndësi thelbësore – si mbrojtja e kufijve dhe mbështetja e komuniteteve për të luftuar shpopullimin në zonat kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë, në një diskutim që zgjati më shumë se dy orë rreth temës: “E drejta për të qëndruar: zbërthimi i fuqisë së çdo territori”.
“Fqinji ynë agresor, që sfidon demokracinë”
Kur në panel u ftua të ngjitej njëra nga folëset, salla, si rrallëherë duartrokiti fort. Emri i ish-presidentes lituaneze, Dalia Grybauskaite, ngjalli interesin e të gjithëve. E shkolluar për ekonomi politike në Shën Petersburg, ajo u shndërrua në një ndër politikanet më të njohura në Lituani dhe në Bashkimin Europian, ku mbajti postin e rëndësishëm të Komisioneres për Financat dhe Buxhetin në Komisionin Europian nga 2005-2009 dhe më pas, u zgjodh e para presidente grua në Lituani, duke mbajtur postin për plot një dekadë, nga 2009-2019.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë, Grybauskaite, e njohur edhe si “Gruaja e hekurt”, ka spikatur me rolin e saj për mbrojtjen e Lituanisë, Polonisë dhe të gjithë rajonit Baltik.
“Të gjithë ne kufizohemi me një fqinj agresiv, që sfidon demokracinë. Bashkimi Europian është shumë efiçent në reformat e ndërmarra, por vullneti politik është më i rëndësishëm. BE duhet ta kuptojë që çdo gjë varet në shpatullat tona. Imperializmi rus nuk merr fund me jetën politike të Putinit” – deklaroi ish-presidentja lituaneze.
Mbrojtje dhe investime
Rajonet e kufirit lindor përballen me sfida të veçanta ekonomike, shoqërore dhe sigurie.
Agresioni rus në Ukrainë e riktheu vëmendjen tek këto zona. “Shpopullimi në këto shtete është dukuri e vjetër që ka nisur rreth viteve 2000, por lufta në Ukrainë na e rikujtoi. Tema kryesor është siguria, por ne duhet të krijojmë qëndrueshmëri dhe investime në rajonin tonë. Na duhet infrastrukturë dhe lëvizshmëri më e mirë ndërmjet nesh”– tha Robert Zile, politikan karriere nga Letonia, aktualisht zëvendës-president i Parlamentit Europian.
Edhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë polake të Fondeve dhe Politikave Rajonale, Jan Szyszko, vuri theksin tek investimet. “Janë të nevojshme investimet strategjike në kufijtë lindorë. Investitorët kanë nevojë për stimuj. Duhet investuar tek mbrojtja dhe siguria, edhe në mënyrë indirekte”.
Pak muaj më parë, Komisioni Europian ndërmori nisma të reja për shtetet anëtare që përbëjnë rajonin e kufirit lindor të Unionit – Estonia, Finlanda, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Rumania – si paketa ekonomike shtesë dhe sipërmarrje që lidhen me mbrojtjen. /DW