
Mbushet Haga me shqiptarë
Përkrahje e madhe për liderët e UÇK-së.
Haga këtë fundjavë është mbushur me shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe diaspora. Me moton e përkrahjes për liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, mijëra qytetarë pritet t’i bashkohen protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), që do të mbahet të dielën, 14 shtator 2025, duke filluar nga ora 14:00.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë figura të njohura të jetës politike e kombëtare si Nait Hasani me bashkëshorten Fatmire Zogu, Bislim Zogaj, Shqiptar Gubetini, Hektor Beqiri, Patriot Krasniqi, Rexhep Gashi si dhe shumë personalitete të tjera nga Kosova dhe mërgata.
Përveç tyre, dhjetëra autobusë dhe dhjetëra fluturime sollën në Hagë bashkatdhetarë nga e gjithë Evropa e më gjerë. Të gjithë kanë një qëllim të përbashkët: të shprehnin mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, të cilët konsiderohen si simbol i luftës së pastër çlirimtare.
Kjo protestë pritet të kaloj në mënyrë të qetë dhe pa incidente, ndërsa mesazhi i saj do të jetë i qartë: populli shqiptar qëndron pas luftës së drejtë të UÇK-së dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të ish-udhëheqësve të saj.
Kjo përkrahje që pritet të jetë masive e dëshmon edhe njëherë se kauza e UÇK-së mbetet e gjallë në zemrën e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.