Mbyllet seanca pa rezultat për ndryshimet kushtetuese: Vazhdon në ora 22:00 për zgjedhjen e Presidentit
Për mungesë kuorumi, ka dështuar seanca e jashtëzakonshme plenare me pikën e vetme të rendit të ditës, miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit me votë drejtpërdrejt nga populli.
Përderisa çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet, në seancë nuk ishin të pranishëm asnjë nga deputetët e Listës Serbe.
Në sallë ishin 93 deputetë.
“ Nuk janë plotësuar kushtet opr vazhdimin në votim të amendamenteve. do ta ndërpresim seancën këtu”, ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Ajo njoftoi se seanca tjetër do të mbahet në ora 22:00.
Sipas njoftimit zyrtar, në rend dite është vetëm një pikë: zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Seanca pritet të mbahet në sallën e seancave të Kuvendit duke filluar nga ora 22:00, vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri.



