Mbyllja e AKP-së në diskrecion të Kuvendit

15 qershor 2022 | 15:21

Mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) mbetet në diskrecionin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa për rifillimin e procesit të valës së re të shitjeve në AKP, kryesuesi bordit të kësaj agjencie, Nazmi Mikullovci, ka thënë të mërkurën se Qeveria e Kosovës me vendim ka pezulluar bllokimin e privatizimit të pronave shoqërore.

Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Mikullovci i është përgjigjur deputetëve se për mbylljen e AKP-së vendos Kuvendi i Kosovës. Teksa ka shtuar se mbetet sfidë për AKP-në mosshqyrtimi edhe i 26 mijë lëndëve nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, që kanë të bëjnë kryesisht për 20 përqindëshin e punëtorëve.

“E kemi bërë një strategji dhe e kemi diskutuar në Komisionin për Ekonomi, se kur të vijë koha, do të vendosë Kuvendi i Kosovës për mënyrën e mbylljes dhe për mënyrën e vazhdimit të një strukture shumë më të vogël për vendimet e gjykatave, sepse në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, momentalisht janë 26 mijë lëndë ende janë pa u shqyrtuar. Kemi kërkuar prej qeverisë që të ndodhë diçka lidhur me këtë çështje, sepse ata kanë thënë se kjo do të zgjatë minimum 10 vjet. Kjo është e rëndë për ata punëtorë të cilët presin 20 përqindëshin. Ne planifikojmë që deri në fund të vitit 2024 t’i përfundojmë të gjitha çështjet operative dhe pastaj do të mbetet një organizëm i vegël i cili merret vetëm me ekzekutimin e këtyre vendimeve të gjykatës që janë kryesisht për 20 përqindëshin e punëtorëve dhe për pretenduesit si kreditor”, ka thënë ai.

Ndërsa zëvendëskryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku, e ka pyetur Mikullovcin përse ka nisur vala e re e privatizimit, pasi ishte paralajmëruar nga partia në pushtet mbyllja e AKP-së. Madje sipas deputetit të PDK-së, ka pasur edhe një vendim nga qeveria për ndalimin e shitjeve.

“Ne po shohim që kemi një valë të re të shitjeve nga AKP-ja, ndërsa në kuvend të Kosovës kur ju jeni emëruar si anëtar I bordit, është thënë se është çështje ditësh kur do të mbyllet AKP-ja dhe jo që nuk është mbyllur, por tani edhe po shiten edhe ato asete që janë në kuadër të AKP-së. kemi pasur edhe një vendim të qeverisë që të pezullohen shitjet. Çfarë ka ndodhur me atë vendim?”, ka pyetur Lushtaku.

Mikullovci ka thënë se Qeveria me vendim ka pezulluar ndalimin e shitjeve të pronave që janë nën menaxhim të AKP-së.

“Po, ka pasur, ne kemi marrë një shkresë prej qeverisë dhe ka pranuar që një kategori e aseteve duhet gjithsesi me u shitur. Pra, është vendim prej qeverisë. Është pezulluar vendimi I mëhershëm I qeverisë për ndaljen e shitjeve”, ka thënë Mikullovci.

Gjatë raportimit të Mikullovcit për raportin vjetor financiar në Komision, kryetari i komisionit, Armend Muja nuk kishte vëmendjen e duhur për të dëgjuar atë. Për shkak të kësaj, Muja është kritikuar nga anëtari i komisionit, Pal Lekaj.

“Strategjisë, përpos klasifikimit. (ndërhyrje nga kryetari me një zë të lart nga laptopi i tij). Në kuadër të përgatitjes së strategjisë dhe përpos klasifikimit, të gjitha aseteve, të cilat i kemi në menaxhim sipas potencialit zhvillimor kemi pasur edhe tjetër dokument i cili është marrë veçmas me këtë çështje. Klasifikimi i atyre pronave të cilat me një intervenim munden me u përdorë për nevoja publike. Ne kemi identifikuar diku 42 asete, të cilat mund të përdoren”, ka thënë Mikullovci.

Mikullovci ka theksuar se Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të pamodifikur për raportin financiar të AKP-së për vitin 2021.

Komisioni me shumicë votash ka miratuar raportin e AKP-së, derisa shqyrtimi i raportit vjetor financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021 dhe raporti vjetor financiar i KOSTT- it për vitin 2021, është shtyrë për javën tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pablo Torre është transferimi i ri i Barcelonës. Ishte vet…