Mbyllja e Qeverisë: Trumpi shtyn fjalimin drejtuar kombit

24 janar 2019 | 13:14

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk do të mbajë fjalimin vjetor, drejtuar kombit, derisa mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane të marrë fund.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ka tërhequr ftesën për Trumpin për t’ju drejtuar Kongresit më 29 janar, duke thënë se fillimisht duhet të rihapen shërbimet e Qeverisë.

Mbyllja e Qeverisë ka lënë 800 000 punonjës federalë pa paga që nga 22 dhjetori.

Trumpi i dëshiron 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën, që do të pengonte hyrjen e emigrantëve në ShBA, por Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët ka refuzuar.

Mosmarrëveshja mbi sigurinë kufitare ka çuar në mbylljen më të gjatë të Qeverisë në historinë amerikane.

Presidenti Trump më herët ka thënë se fjalimi i tij “duhet të mbahet në kohë”, por në një postim në llogarinë e vet në “Twitter” ai ka bërë me dije se nuk mund ta përmbushë zotimin e tij.

Trump ka thënë se Pelosi ka refuzuar ta lejojë Kongresin që të jetë nikoqir i tij derisa të përfundojë mbyllja e Qeverisë, që tani ka hyrë në ditën e 34-të.

“Kjo është e drejta e posaçme e saj. Do ta mbaj fjalimin kur mbyllja e Qeverisë të marrë fund”, ka thënë Trump.

Ndërsa Pelosi shpreson se Trumpi do ta mbështesë një ligj që ka kaluar Dhoma e Përfaqësuesve, për të financuar agjencitë e prekura nga mbyllja e Qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gjykatë në Kiev e ka shpallur ish-presidentin e Ukrainës,…