Më 1 tetor Qendra e Studentëve do të jetë gati për studentët banues
Qendra e Studentëve do të jetë gati që të presë banues të rinj që nga 1 tetori si çdo vit tjetër. Madje konviktet e kësaj qendre janë duke u rinovuar e pastruar, pasi ishin përdorur për krantinimin e të kthyerve nga jashtë Kosovës deri në mesin e muajit qershor.
Drejtori i kësaj qendre, Fatmir Sfishta, e ka quajtur fat të madh mbylljen e karantinës, pasi që kanë filluar projektet sa i përket renovimit të objekteve.
Ai ka thënë se Qendra e Studentëve është duke u angazhuar për përmirësimin dhe ofrimin e kushteve për një ambient sa më të pastër dhe të rehatshëm për studentët banues.
Sipas tij, në këtë qendër ka filluar të bëhet edhe pastrimi i dyshekëve në të gjitha dhomat e konvikteve. “Në momentin që është mbyllur Qendra e Studentëve si karantinë ne i kemi dezinfektuar të gjitha hapësirat e jashtme dhe të brendshme, mirëpo zakonisht në fillim të çdo viti akademik ne bëjmë edhe një herë dezinfektimin e çdo hapësire. Tash kemi filluar edhe një projekt për pastrimin e dyshekëve që kanë qenë të përdorur gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo projekt i planifikuar do të kryhet deri më 15 shtator.
“Në kushte normale studentët kanë nisur të vijnë në Qendrën e Studentëve më 1 tetor, mirëpo këtë vit për shkak të pandemisë nuk varet nga ne. E jona është që të bëhemi gati që më 1 tetor të fillojë viti akademik dhe të vijnë studentët, por varet nga institucionet e tjera që viti akademik të vazhdojë në rrethanat normale. Çdo projekt është planifikuar të kryhet deri më 15 shtator”, është shprehur Sfishta për “EO”.



