“Më 12 tetor ta përkrahim Jetmir Prekallën për kryetar dhe ekipin e PDK-së për asamblenë komunale në Deçan”

27 shtator 2025 | 20:18

Ish-deputeti Hisen Berisha, zyrtar i PDK-së, ka bërë thirrje që në Deçan të votohet kandidati për kryetar nga kjo parti, Jetmir Prekalla.

Berisha ka shkruar në “Facebook” se Jetmir Prekalla është shembulli unik i një lideri të përgjegjshëm: me dije shkencore, me edukatë dhe vizion për të ardhmen.

“Më 12 tetor, të gjithë bashkë, ta përkrahim Jetmir Prekallën për kryetar dhe ekipin e PDK-së për Asamblenë Komunale. Me këtë vizion dhe me këtë lidership, Deçani do të ketë një të ardhme të sigurt, dinjitoze dhe krenare”, ka shkruar Berisha.

Postimi i Berishës:

Profesor Jetmir Prekalla – trashëgimia e lavdisë, vizion i brezit të ri

Nga lavdia e së kaluarës drejt vizionit të së ardhmes, deçanasit duhet mobilizuar për të përkrahur një bir të kësaj treve të shquar, një profesor universitar, përfaqësues të brezit të ri, trashëgimtar e ruajtës të trashëgimisë historike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të vetë Deçanit – z. Jetmir Prekalla.

Deçani nuk është një komunë e zakonshme. Është vatër nga ku hyri liria e Kosovës. Është trualli i burrave e veprimtarëve të mëdhenj të çështjes kombëtare: Sali Çekut, Rrustem Bruçit, Mentor Tolajt, Shkëlzen e Luan Haradinajt, Beg Rizës e shumë të tjerëve që sakrifikuan gjithçka për atdheun.

Është vatër që u dha besë, bukë e armë korifenjëve të luftës, lirisë dhe pavarësisë sonë: Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Kadri Veselit e birit të Vokshit të Dukagjinit – nga Buroja e Drenicës – Hashim Thaçit.

Deçani është edhe i bukurive alpine, i bjeshkëve që matin veten me retë, që borën e bardhë e mbajnë si plis mburojë e orientim për të ardhmen e kombit. Është Deçani i burimeve të kristalta dhe erës së pishave, që rriti rapsodë si Dervish Shaqa, Demush Neziri, Shaq Avdia, Zek Lushi, e deri te luftëtarët e UÇK-së që sollën lirinë.

Të jesh kandidat i PDK-së për kryetar e asambleist në Deçan, do të thotë të mbash mbi supe emblemën e kësaj trashëgimie unike historike. Kur burra intelektual si Profesori Jetmir Prekalla marrin përsipër këtë barrë, ata mishërojnë vlerat që qëndrojnë në ADN-në e Partisë Demokratike të Kosovës: parti e pavarësisë, parti e lirisë, parti e perspektivës.

Jetmir Prekalla është shembulli unik i një lideri të përgjegjshëm: me dije shkencore, me edukatë dhe vizion për të ardhmen. Ai nuk vjen për të sunduar, por për të shërbyer; jo për të ndarë, por për të bashkuar; jo për të premtuar kot, por për të ndërtuar të ardhmen mbi themele të forta.

Bashkë me ekipin e tij të kandidatëve për Asamblenë Komunale, Jetmiri do të dijë t’i dëgjojë qytetarët e Deçanit, t’i kuptojë hallet e tyre dhe t’i shndërrojë në politika konkrete.

Prandaj, sot japim mbështetjen tonë për Profesor Jetmir Prekallën – kryetar i denjë, e vizionar që sjell zhvillim, drejtësi dhe dinjitet.

Më 12 Tetor, të gjithë bashkë, ta përkrahim Jetmir Prekallën për kryetar dhe ekipin e PDK-së për Asamblenë Komunale. Me këtë vizion dhe me këtë lidership, Deçani do të ketë një të ardhme të sigurt, dinjitoze dhe krenare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bastionin e pathyeshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, në…