
Më 14 qershor në Drenas zbulohet shtatorja e Heroit Asllan Fazliu
Në kuadër të aktiviteteve për nder të Ditës së Çlirimit të Drenasit, të shtunën më 14 qershor 2025, do të mbahet ceremonia solemne e zbulimit të shtatores së Heroit të Kombit, Asllan Fazliu.
Manifestimi do të zhvillohet në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, duke filluar nga ora 11:00. Në këtë ngjarje përkujtimore do të marrin pjesë familjarë, miq, bashkëluftëtarë si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore.
Shtatorja e re e Heroit Asllan Fazliu nuk është thjesht një vepër artistike prej bronzi – ajo është simbol i ndërgjegjes kombëtare dhe përjetësimit të sakrificës për liri. Përmes këtij monumenti, Drenasi nderon jo vetëm një nga bijtë më të devotshëm të saj, por edhe gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Organizatorët ftojnë qytetarët që t’i bashkohen kësaj ngjarjeje për të nderuar sakrificën dhe veprën e Heroit Asllan Fazliu.
Pjesëmarrja juaj është nderim për gjakun e derdhur për liri!