Më 17 shkurt le të ngrihemi si një trup i vetëm!
Shkruan: Ilir Gashi
Përshëndetje nga Vlora
Nga Shtëpia e Pavarësisë, që i dha jetë shtetit shqiptar.
Këtu ku u vulos fati i Shqipërisë, ndiej peshën e historisë dhe zërin e gjakut që na thërret për unitet.
Nga kjo tokë e shenjtë, i drejtohem çdo shqiptari, në atdhe e në mërgatë, me një thirrje që buron nga shpirti.
Më 17 shkurt, në Prishtinë, le të ngrihemi si një trup i vetëm! Le të mbushet sheshi me dinjitet, me flamuj, me zemra që rrahin njësoj.
Le të dëgjohet zëri ynë si kushtrim i fuqishëm për drejtësi, për liri, për respektimin e sakrificës së atyre që luftuan për nderin dhe tokën tonë.
Ne jemi bijtë e shqipes!
Jemi pasardhës të atyre që nuk u përkulën kurrë. Historia na ka mësuar se kur bashkohemi, bëhemi të pathyeshëm. Sot nuk na thërret urrejtja, na thërret dashuria për kombin. Nuk na bashkon frika, na bashkon besimi.
Nga Vlora në Prishtinë, nga çdo qytet e çdo fshat, le të bëhemi një zë, një shpirt, një flamur!
Le t’i tregojmë botës se shqiptari di të qëndrojë drejt, me kokën lart dhe me zemrën plot.
Për drejtësinë!
Për lirinë!
Për dinjitetin kombëtar!
Më 17 shkurt, bashkohuni.




