
Me çmim të ulët, Kina importon 400 000 tonë mish të derrit
Konsumuesja më e madhe e mishit të derrit në botë, Kina, e ka importuar një sasi rekorde të këtij produkti gjatë muajit prill – 400 000 tonë. Kjo ishte një rritje prej 170 përqindësh në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritja e shitjes së mishit të derrit erdhi pas uljes së çmimit shkaku i krizës, me ç’rast blerësit kanë importuar rezerva për një kohë më të gjatë, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti Kina i ka importuar 1 milion e 350 mijë tonë mish derri, 170.4 për qind më shumë se gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar pasi rënia e prodhimit vendor kishte ndikuar që çmimi të mbetej shumë më i lartë se në vendet e tjera.
Gripi afrikan i derrave e ka zvogëluar numrin e këtyre kafshëve në Kinë për të paktën 40 për qind, duke ndikuar në rënien e sasisë së mishit dhe duke e çuar në nivel rekord çmimin e këtij produkti.
Kështu, Kina ka blerë mish derri nga vendet e huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku çmimi i këtij produkti është ndër më të ulëtit në botë dhe ra edhe për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe uljes së kërkesës.