‘Më intrigon, je kaq i ëmbël’, princeshës norvegjeze i dalin email-et me Epsteinin

02 shkurt 2026 | 12:36

Princesha e Norvegjisë, Mette-Marit, është përfshirë në një skandal të ri pas publikimit të dokumenteve të sapo-hapura të lidhura me të dënuarin për abuzim seksual me fëmijë, të ndjerin Jeffrey Epstein.

Dokumentet, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, përmbajnë afërsisht 1 mijë referenca për princeshën dhe shumë emaile të shkëmbyera midis tyre, që tregojnë se ata ishin në kontakt nga viti 2011 deri në 2014.

Mette-Marit u martua me mbretin e ardhshëm të Norvegjisë në vitin 2001. Publikimi vjen në një moment delikat për familjen mbretërore, pasi gjyqi i djalit të saj, Marius Borg Høiby, për përdhunim pritet të nisë këtë javë në Oslo. Ai përballet me 38 akuza, përfshirë përdhunimin e dyshuar të katër grave, sulm dhe shkelje të ligjit për drogën.

Në një deklaratë për media, princesha Mette-Marit pranoi se kishte treguar gjykim të dobët dhe u shpreh e penduar për kontaktet me Epstein. Ajo tha se ndihej përgjegjëse për moskontrollimin më të kujdesshëm të sfondit të tij dhe për faktin që nuk e kishte kuptuar shpejt se çfarë njeriu ishte ai.

Dokumentet tregojnë se princesha dhe Epstein kishin shkëmbyer mesazhe miqësore dhe të ngrohta, ndërsa ajo kishte qëndruar disa ditë në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida.

Mesazhet mes princeshës novegjeze dhe Epstein

Në një mesazh, princesha i shkruante Epstein-it se “më intrigon”, ndërsa në të tjerë e quante “zemërbutë” dhe “kaq i ëmbël”. Në vitin 2012, ajo i shkroi se ai ishte “shumë simpatik” dhe e pyeti nëse ishte “e papërshtatshme që një nënë të sugjeronte dy gra të zhveshura që mbanin një dërrasë sërfi për sfondin e dhomës së djalit të saj 15-vjeçar”.

Në emailet e tjera, siç shkruan The Guardian, ajo e falenderonte Epstein për lulet që ai i kishte dërguar kur ndjehej keq dhe pusullën e mbyllte me fjalët: “Me dashuri, Mm”.

hpesh diskutohej mundësia për takime personale, përfshirë një vizitë katërditore në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida, në vitin 2013, kur Epstein nuk ndodhej aty.

Pallati mbretëror tha se Mette-Marit kishte ndërprerë çdo kontakt me Epstein në vitin 2014, pasi kishte kuptuar se ai mund të përdorte marrëdhënien me princeshën me persona të tjerë.

Mette-Marit, 52 vjeç, shprehu solidaritet të thellë me viktimat e Epstein-it dhe theksoi se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Pallati norvegjez ka njoftuar se gjyqi i djalit të saj është çështje e gjykatave dhe nuk do të ketë komente të tjera nga familja mbretërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e publikimit të këngës së saj më të…