Me kë u takua dje Kurti në Konferencën e Munihut dhe çfarë diskutoi?

19 shkurt 2023 | 07:58

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar disa takime në kuadër të Konferencës së Munihut. Ai është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Takime ka pasur edhe me senatorë amerikanë.

Zyra e kryeministrit nëpërmjet komunikatave ka njoftuar se në takimin me Borrellin e Lajçakun është diskutuar për procesin e dialogut dhe për propozimin evropian dhe për takimin e radhës të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq që u caktua të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.

“Përfaqësuesi i lartë, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në njoftimin e BE-së.

Ndërsa Borrelli në “Twitter” njoftoi se normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. “U takova me Kurtin në #MSC2023 për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrelli në “Twitter” pas takimit me Kurtin.

Po ashtu, Kurti pati takime edhe me senatorë amerikanë.

Kurti është takuar me senatorin amerikan Bob Menendez, njëherësh kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë. Ata kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe për fuqizimin e mëtejmë të tij.

Në takimin e mbajtur dje në kuadër të Konferencën e Sigurisë në Munih, kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e deritanishme të qeverisë, me theks në sundimin e ligjit.

Sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit, Kurti e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive dhënë Kosovës në Senatin amerikan.

“Folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit”, njoftohet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Ai takoi edhe dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.

Siç njofton ZK, në këtë takim është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe për zhvillimet e fundit. Lidhur me dialogun për normalizim me Serbinë dhe propozimin evropian, Kurti ka thënë se Kosova do të ketë angazhim konstruktiv dhe të vazhdueshëm në këtë proces.

Kryeministri Kurti falënderoi senatorët Shaheen dhe Van Hollen për ndihmën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të tyre dhe të ShBA-së për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Astron Mahmutaj, Gjenevë/Zvicër Në kuader të manifestimit për 15-vjetorin…