
Me koncertin e Besiana Mehmedit me miqtë “Në LEGJENDA” u shënua Dita e çlirimit të Klinës
Më 18 Qershor 2025, qyteti i Klinës u bë vendtakimi i kujtesës dhe nderimit për 26-vjetorin e Çlirimit, përmes një koncerti solemn me titullin domethënës “Në Legjenda”, të shfaqur nga Besiana Mehmedi mr miqtë e saj, nën udhëheqjen artistike të artistit Shkodran Tolaj! Koncerti u mbajt në Qendrën për Kulturë “Jehona e Dukagjinit”, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj dhe me sponsorim gjeneral të sipërmarrësit “Nora” një nga më të suksesshmit në Kosovë!
Në këtë mbrëmje përplot emocion dhe dinjitet ishin të pranishëm familjet e dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, babai i heroit Mujë Krasniqi, përfaqësues i komunitetit katolik Don Jeton Thaqi si dhe atij musliman hoxhë Emir Kastrati si dhe përfaqësues nga komuniteti artistik, të diasporës dhe qytetarë nga gjithë treva.
Besiana Mehmedi përveç pjesës artistike kishte barrën e moderimit e cila e bëri në mënyrë unike dhe të veçantë! Ajo foli për rëndësinë dhe sakrificën sublime që u bë në emër të lirisë, tre shkronjat e arta UÇK dhe në nderim të të rënëve të pranishmit mbajtën një minutë heshtje pa harruar të falenderohen dhe miqtë nfërkombëtarë Nato dhe SHBA!
Më pas ajo veçoi me vlerësim të lartë prof. Dr. Arifikmet Xhemailin, dirigjentin e njohur që udhëhoqi korin në interpretimin solemn të himneve kombëtare, si dhe falënderoi kryetarin Elezaj për përkujdesje të tij ndaj figurave kombëtare!
Z. Elezaj, në fjalën e tij përshëndetëse, nënvizoi rëndësinë që ka kjo ditë për qytetin e Klinës dhe për gjithë Kosovën, duke theksuar se respektimi i së kaluarës është bazë për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të ndritur.
Koncerti “Në Legjenda” solli një program të ndërtuar me përkushtim, që ndërthuri kujtesën historike me fuqinë shprehëse të artit.
Besiana Mehmedi, e shoqëruar nga prof. Rudina Ciko në piano, interpretoi premierën muzikore “Për Muje Krasniqin”, me tekst të Shkodran Tolajt dhe muzikë të Sami Pirajt, si një dedikim artistik për komandantin heroik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në nderim të Klinës!
Kori “Akapella”, nën drejtimin e maestro Arifikmet Xhemailit, solli interpretime të fuqishme të këngëve “Për Mëmëdhenë” dhe “O trima luftëtarë”, të krijuara në vitet e rezistencës, që përçuan ndjenjën e thellë të përkatësisë dhe krenarisë.
Kënga “Liri”, në interpretimin e Besiana Mehmedit dhe Rudina Cikos, erdhi si një përkujtim personal dhe kombëtar, duke përmendur me ndjeshmëri gazetarin Qani Mehmedi, autor i tekstit të kësaj kënge, i cili si gazetar ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i dramës së luftës dhe shpresës për çlirim. Kjo këngë ishte dedikim falenderues për të gjithë baballarët dhe sakrificën në punën e tyre misionare e idealiste!
E reja Blinera Gashi solli në skenë këngën “Shokët e luftës”, duke përçuar zërin e brezit të ri!Në nderim të kryeheroit të Kosovës, Adem Jasharit, dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, u interpretua kënga “Ai është i gjallë”, në interpretimintë Besiana Mehmedit, korit dhe pianistes Rudina Ciko.
Në mbyllje, një moment i jashtëzakonshëm artistik u soll nga primadona e operës shqiptare, Mariana Leka, e cila për herë të parë në Klinë interpretoi me emocion të lartë këngët “O vendi im”, “Unë biri yt Kosovë” dhe “Agimet shqiptare”, duke e kthyer skenën në një akt përkushtimi ndaj kombit.
Koncerti u përmbyll me duetet e fuqishëm mes Mariana Lekës dhe Besiana Mehmedit, që i kënduan Shqipërisë dhe shpirtit të pathyeshëm të popullit tonë, në një interpretim që u shoqërua me ovacione nga publiku. Ato interpretuan tre vepra që autorët e tyre janë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova: “Rrjedh në këngë e ligjërime” Feim Ibrahimi, “Këngë moj”Musa Piperku dhe “Valsi i lumturisë” Avni Mula si dëshmi që pavarësisht vendosjes së kufinjëve artificial populli shqiptar ka mbetur një dhe i pandashëm sikurse muzika jonë nga jugu në veri! Koncerti u mbyll me “Odën e gëzimit” himnin e Evropës si mesazh që Kosova punon, pretendon dhe është pjesë e familjes së madhe evropiane!
Ky koncert shënoi me sukses të 12- tin koncert klasik të Besiana Mehmedit me miqtë, në qytete të ndryshme në një periudhë 6 mujore duke i sjellur shqiptarëve në veçanti Kosovës art dhe aktivitete që i kanë munguar!