Me leje nga SHBA-të – kur dhe çfarë do të dëshmojë në Hagë Gjenerali Clark

24 tetor 2025 | 12:30

Njoftimi sqaron se Clark nuk mund të udhëtojë për në Hagë para datës 17 nëntor dhe kështu dëshmia e tij nuk do të mund të zhvillohet para pasdites së 18 nëntorit ose mëngjesit të 19 nëntorit. Wesley Clark, ish-Komandanti i Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, gjatë kohës së luftës në Kosovë, me konfirmimin e plotë të administratës amerikane pritet të fillojë dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes së Presidentit Hashim Thaçi mëngjesin e 19 nëntorit.

Ekipi mbrojtës i Thaçit ka marrë konfirmimin e qeverisë amerikane për dëshminë e Gjeneralit Clark, dëshmi që cilësohet të jetë më e rëndësishmja deri më tani.

“Në përputhje me Urdhrin e Panelit Gjyqësor të datës 2 shtator 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi (‘Mbrojtja’) njofton se ka marrë miratimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (‘Ofertuesi sipas Rregullit 107’), e cila ka autorizuar deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit të saj të fundit, 1DW-007, gjeneralit Wesley Clark”, nis teksti i njoftimit të ekipit mbrojtës.

Njoftimi sqaron se Clark nuk mund të udhëtojë për në Hagë para datës 17 nëntor dhe kështu dëshmia e tij nuk do të mund të zhvillohet para pasdites së 18 nëntorit ose mëngjesit të 19 nëntorit. Kështu, ekipi mbrojtës projekton që dëshmia të startojë më 19 nëntor.

“Mbrojtja, pra, konfirmon qëllimin e saj për ta thirrur dëshmitarin 1DW-007 gjatë javës së 17 nëntorit 2025, por jo para pasdites së 18 nëntorit, ose, me shumë gjasë, në mëngjesin e 19 nëntorit 2025”, shkruhet tutje në njoftim.

Gjenerali Clark do të dëshmojë për një mori ngjarjesh të kohës së luftës në të cilat ka qenë i përfshirë si i pari i Aleancës më të fuqishme ushtarake të botës. Ndër të tjera, mbrojtja ka paralajmëruar se ai do të dëshmojë se ka qenë i vetëdijshëm për dhunën në Kosovë gjatë verës së vitit 1999 dhe se ai nuk besonte se lidershipi i UÇK-së ishte i përfshirë në përpjekje të përbashkëta për të sulmuar serbët apo minoritetet e tjera.

Në fund, Clark do të dëshmojë edhe për takimet që ka pasur me delegacionin e UÇK-së në Rambuje, specifikisht me Presidentin Thaçi.

“Ai paraqet vëzhgimet dhe përshtypjet e tij lidhur me mungesën e strukturës dhe organizimit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe mungesën e çdo sistemi funksional të komandës apo kontrollit. Ai gjithashtu ka vërejtur mungesën e kontrollit që z. Thaçi kishte mbi UÇK-në, duke theksuar se ai ishte vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake, si dhe ka shpjeguar pse do të ishte e padrejtë t’i atribuohej z. Thaçi sjellja e gabuar e të tjerëve”, shkruhet në njoftimin e ekipit të avokatëve.

Në dëshmi do të përfshihet edhe një deklaratë 11-faqesh e Clark, e cila është nxjerrur nga një intervistë dhënë për mbrojtjen, në të cilën kanë qenë prezent  edhe përfaqësues nga Pentagoni e Departamenti i Shtetit Amerikan, të cilët më pas e kanë rishikuar deklaratën dhe e kanë aprovuar si dëshmi.

“Për më tepër, intervista e dëshmitarit është ndjekur nga zyrtarë të Pentagonit dhe të Departamentit të Shtetit, të cilët gjithashtu e kanë rishikuar dhe miratuar deklaratën për përdorim. Së fundi, deklarata përmban një pohim nga vetë 1DW-007, i cili konfirmon se përmbajtja e saj është e vërtetë, se ajo është dhënë në mënyrë vullnetare dhe se ai është i vetëdijshëm që mund të përdoret në procedura ligjore”, sqarohet në njoftim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tasim Badallaj shpall te pavlefshme dipllomen QK “11 Marsi” Prizren