
Me nderime ushtarake varroset veprimtari Ekrem Jashari
Sot, në varrezat e veteranëve të UÇK-së në Ferizaj, me nderime ushtarake u varros veprimtari i çështjes kombëtare, Ekrem Jashari.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë shumë qytetarë nga mbarë hapësira shqiptare, veprimtarë, ish-ushtarë të UÇK-së, ish-të burgosur politikë si dhe zyrtarë të institucioneve publike.
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, me fjalë rasti u paraqitën kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ish-i burgosuri politik Bajrush Xhemajli, gjeneral Kudusi Lama, si dhe bashkëveprimtarët e LPK-së, Ali Ahmeti dhe Xhavit Haliti. Po ashtu, folën edhe kryetari i OVL-UÇK-së në Ferizaj, Afrim Mehmeti, dhe ish-i burgosuri politik Riza Xhakli.
Pranë arkivolit të tij, nderuan me fjalë edhe ish-i burgosuri politik dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, si dhe veprimtarët Ramadan Avdiu, Xhevat Xhini dhe Nezir Çoçaj.
“Ekrem Jashari ishte dhe do të mbetet simbol i përkushtimit, një zë i drejtësisë dhe një shtyllë e rezistencës sonë kombëtare. Ai jetoi me ideal dhe la pas një trashëgimi që na obligon të mos ndalemi në rrugën e lirisë dhe barazisë”, u tha nga të pranishmit.