
Me rastin e 40-vjetorit të vrasjes së heroit Zijah Shemsiu
Nga Agim Sylejmani
Përlepnica i dha Kosovës jo vetëm mësimdhënës të shquar e të përkushtuar, por edhe atdhetarë, patriotë e luftëtarë të kauzës së shenjtë për çlirim e bashkim kombëtar. Për veprimtarinë patriotike e revolucionare janë burgosur dhe dënuar shumë përlepnicas. Janë arrestuar dhe dënuar edhe shumë të tjerë për pjesëmarrje aktive në ngjarjet dhe proceset e shumta historike nëpër të cilën kaloi Kosova.
Sonte mbushen 40 vite nga vrasja makabre në burgun famëkeq CZ të Beogradit, kur nga torturat shtazarake pushoi së rrahuri zemra e njërës nga figurat e shquara të Përlepnicës që i dha aq shumë luftës për çlirim e bashkim kombëtar, duke kulmuar edhe me jetën e tij, patriotin e flaktë dhe veprimtarin e madh të çështjes kombëtare, dëshmorin e kombit Zijah Shemsiu. Edhe sikur të shkruhen libra të tërë për Zijahun, përsëri do ngelet diç mangu, prandaj çkado që të thuhet për të do jetë pak. Por këtu po japim vetëm një portret të shkurtër biografik për këtë dëshmor të kombit, ish të burgosurin politik, Zijah Shemsiu.
Zijahu u lind më 1 korrik 1950 në Përlepnicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar Shkollën e Mesme Normale në Gjilan. Pas përfundimit të shkollimit për mësues, në vend të ditarit dhe punës me nxënës, ai u detyrua të emigrojë në Zvicër.
Pas një kohe ai u lidh shpejt me bërthamën e parë të organizuar të celulave të OMLK-së në Zvicër dhe u bë njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Kadri Zekës. Por, veprimtaria atdhetare e Zijahut zanafillën e kishte që në ngjarjet e mëdha të demonstratave të nëntorit 1968 në Gjilan e Prishtinë, ku ai mori pjesë aktive. Shpërthimi i demonstratave të mëdha të Pranverës së vitit 1981 Zijahun e gjejnë në mesin e veprimtarëve të shquar të Lëvizjes Kombëtare në Zvicër, Kadri Zeka, Hasan Malaj, Kadri Abdullahu, Saime Isufi, Zahir Kamberi e shumë veprimtarë të tjerë të kohës, ku për pseudonim kishte marrë emrin Sefë.
Që nga demonstrata e parë e organizuar më 11 prill 1981 në Bern të Zvicrës, në përkrahje të demonstratave në Kosovë dhe kërkesave të tyre të artikuluara për të drejta kombëtare, Zijahun e gjejmë gjithmonë në ballë të organizimit të tubimeve e demonstratave nëpër metropolet evropiane dhe masovizimit në mesin e kurbetçarëve, duke mbështetur kështu kërkesat gjithëpopullore për Republikën e Kosovës.
Në mesin e shokëve të organizuar Zijahu njihej si njeri i besës, trimërisë, sakrificës dhe vendosmërisë së rrallë, atdhetar dhe patriot i flaktë i kauzës së shenjtë për çlirim e bashkim kombëtar. Prandaj nuk ishte e rastit që “Zijahu të gjendej aty ku rreziku ishte më i madhi”, siç e kujton bashkëvendësi dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Zahir Kamberi.
Zijahun e gjejmë gjithmonë dhe kudo në mesin e bashkatdhetarëve duke shpërndarë gazetën “Liria”, pastaj “Lajmëtarin e lirisë”, “Zërin e Kosovës”, trakte e pamfleta, duke biseduar me ta për hallet e kombit dhe duke propaganduar kërkesat e artikuluara në demonstratat e Pranverës së madhe ’81. Ai ishte një lexues i pasionuar, prandaj kërkonte edhe nga bashkatdhetarët tanë të lexojnë sa më shumë, duke u dhënë edhe libra për lexim.
Jo vetëm në mesin e kurbetçarëve tanë, por edhe tek vendasit, tek zviceranët shpërndante trakte e pamflete në gjuhën gjermane e frenge, duke i informuar ata me gjendjen e krijuar në Kosovë dhe për kërkesat gjithëpopullore në demonstratat e Pranverës ’81 për statusin e Republikës për Kosovën.
Një kontribut të çmueshëm Zijah Shemsiu dha edhe në krijimin e klubeve shqiptare jashtë ndikimit të konsullatave jugosllave, siç ishin kubet «Igballe Prishtina» në Gjenevë, “Asim Vokshi” në Lausanne, etj.
Viti 1983 shënon një fazë të re të luftës në Kosovë, përgatitjen për një kryengritje të armatosur. Përsëri ishte Zijah Shemsiu ai i cili hidhej i pari ku kërkohej guximi e vendosmëria, aty ku paraqitej rreziku më i madh, kalimi ilegal i kufijve të Jugosllavisë, për të sjellur jo vetëm materiale propaganduese, gazeta e trakte, siç kishte bërë disa herë edhe më parë, por duke bartur edhe armë e municione për njësitet e para guerile që kishin filluar të krijohen nëpër Kosovë, të organizuar nga Rexhep Malaj, njëri nga themeluesit e Partisë së Luftës së Kosovës dhe komandant i njësiteve të para guerile në Kosovë. Prandaj, pa mëdyshje, Zijah Shemsiu mund të konsiderohet edhe njëri nga themeluesit e parë të logjistikës së luftës në Kosovë.
Në një udhëtim të tillë, më 9 tetor 1983, bashkë me Sami Kurteshin, të ngarkuar me një sasi të madhe të gazetës “Zëri i Kosovës”, ata kishin edhe një sasi të konsiderueshme armatimi, municioni dhe mjeteve tjera shpërthyese, por nuk arritën të hynin në Kosovë, sepse u arrestuan në afërsi të Beogradit. Pas disa ditësh policia serbe arrestoi edhe babain dhe vëllezërit e tij, Hasan, Fetah dhe Shaban Shemsiun.
Pas më shumë se tetë muaj hetimesh dhe torturash çnjerëzore Zijahun me shokë dhe babain e vëllezërit e tij i nxorën para Gjyqit të Qarkut në Beograd, ku më 24 maj 1984 iu shqiptuan dënime të rënda burgimi: Zijah Shemsiu 13 vjet, Sami Kurteshi 9 vjet, Fetah Shemsiu 5 vjetë e gjysmë, Taip Zeka 5 vjet e gjysmë, Hasan Shemsiu 4 vjet dhe Shaban Shemsiu 4 vjet.
Pas një kohe të shkurtër Zijahun e dërguan në një qeli burgu bashkë me bashkëvendasin e tij, veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Hydajet Hyseni. Në atë qeli gjendeshin edhe të burgosur tjerë politikë shqiptarë, Gani Koci, Bajram Kosumi dhe Ali Lajçi.
Në prag të katër vjetorit të demonstratave të viti 1981, që të pesë të burgosurit politikë e nënshkruan një letër dërguar qeverisë jugosllave dhe institucioneve tjera vendore, ku ata argumentuan në mënyrë shkencore shkaqet e vërteta të shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe kërkesës që Kosovës t’i njihej statusi i Republikës.
Këtë letër, para se ta dorëzonin tek organet e burgut më 8 mars 1985, Zijah Shemsiu e përshkruajti në letra të toaletit duke e fshehur dhe kamufluar në rrobat e tij. Pas dorëzimit të letrës, drejtoria e burgut i shpërdau nëpër qeli të burgjeve të ndryshme në Serbi. Zijahun e hodhën në një qeli të burgut qendror të Beogradit, ku pas torturave të shumta dhe çnjerëzore, e vranë në mënyrën më mizore duarlidhur natën në mes 1 e 2 majit 1985 . Zijah Shemsiu mbrojti qëndrimet e paraqitura në letrën dërguar kryesisë së Jugosllavisë edhe me jetën e tij.
Pas vrasjes së Zijahut, organet e burgut , pos arkivolit me trupin e tij të pajetë, familjes iu dërguan edhe gjësendet dhe rrobat e Zijahut, pa iu shkuar mendja se aty gjendej e kamufluar një kopje e letrës, shkaku i së cilës ai edhe u vra mizorisht.
Zijahu u varros më 5 maj 1985 në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Përlepnicë.