Më shumë se 100 të lënduar nga zjarret në Francë

09 korrik 2025 | 14:33

Zjarrfikësit në Francë vazhdojnë përpjekjet për të shuar një zjarr të madh që ka mbërritur në periferi të Marsejës dhe ka lënë më shumë se 100 persona të plagosur.

Kryebashkiaku i Marsejës, Benoit Payan, deklaroi për mediat lokale të mërkurën në mëngjes se flakët po “dobësohen”, por ende nuk janë vendosur plotësisht nën kontroll.

Pas një “rënieje të ndjeshme” të përhapjes së zjarrit, kufizimet që ishin vendosur një ditë më parë në periferi të qytetit janë hequr, njoftoi ai në rrjetin X.

Sipas Ministrisë së Brendshme, 110 persona kanë pësuar lëndime të lehta – përfshirë nëntë zjarrfikës dhe 22 oficerë policie. Mediat franceze raportojnë se të paktën 400 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, citon BBC.

Qytetarët u paralajmëruan të qëndronin brenda dhe të mos largoheshin pa udhëzim, për të mos bllokuar rrugët që i nevojiten mjeteve të emergjencës.

Kryebashkiaku Payan më herët përshkroi përpjekjet e zjarrfikësve si “luftë guerile me tuba uji në dorë”, duke iu referuar përballjes së tyre intensive me flakët në terren të vështirë.

Në kulmin e përhapjes, zjarri lëvizte me një shpejtësi prej 1.2 kilometra në orë, raportoi transmetuesi francez BFMTV. Kryebashkiaku e atribuoi përhapjen e shpejtë një kombinimi të kushteve të pafavorshme: erëra të forta, bimësi të dendur dhe shpate të pjerrëta.

Presidenti Emmanuel Macron, gjatë një vizite shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, shprehu solidaritet me ekipet e emergjencës dhe u bëri thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. “Mendimet tona janë me të plagosurit dhe banorët e prekur,” shkroi ai në X.

Aeroporti Marseille Provence njoftoi se fluturimet do të rifillonin “pa kufizime” në orën 09:30 të mëngjesit të së mërkurës, edhe pse vonesa të mundshme janë të pritshme.

Aeroporti, një nga më të ngarkuarit në Francë, kishte qëndruar i mbyllur gjatë së martës, duke rifilluar pjesërisht funksionimin në orën 21:30 me orën lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jamal Musiala ka reaguar për herë të parë pas dëmtimit…