
Me sloganin “Koha për Prishtinën”, Uran Ismaili nis rrugëtimin për kryeqytetin
Pas zyrtarizimit të kandidaturës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka zbuluar edhe sloganin që do të shënojë rrugëtimin e tij në këtë fushatë: “Koha për Prishtinën.”
Ky mesazh i drejtpërdrejtë e i fuqishëm është bërë publik përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku përveç vizionit të tij për kryeqytetin, Urani përcjell edhe një thirrje të qartë për veprim nga të gjithë pa dallim.
Sipas kandidatit të PDK-së, “Koha për Prishtinën” nuk është vetëm një slogan, por një bindje – se tani është momenti për të ndalur kaosin dhe për të kthyer fokusin drejt qytetit që ka nevojë për zgjidhje të guximshme dhe udhëheqje me përkushtim. Është koha për Prishtinën dhe për qytetarët e saj, që çdo ditë përballen me sfida si trafiku, ndotja, mungesa e pastërtisë, siguria në lagje dhe mungesa e hapësirave të jetueshme.
Fushata e tij, siç është paralajmëruar, do të ndërtohet mbi disa shtylla kryesore: zgjidhje konkrete për problemet e përditshme të Prishtinës dhe për secilën lagje si një njeri i rritur dhe i familjarëzuar me nevojat e kryeqytetit, si politikan me përvojë menaxheriale i dëshmuar si ish ministër i Shëndetësisë dhe gatishmërinë për të punuar për Prishtinën me ekipin më të mirë të mbledhur përreth vetes.
Duke kombinuar përvojën politike dhe energjinë për të sjellë ndryshim, Uran Ismaili me këtë slogan synon të përçoj se është koha jo vetëm për Prishtinën, por për qytetarët dhe nevojën për ta vënë përvojën e tij në shërbim të plotë të qytetit për të bërë punët që presin prej vitesh të zgjidhen.