
Më të vetmuar dhe plot me ndjekës
Fortunato Constantino
Mes shumë efekteve anësore të revolucionit dixhital ka edhe një tejet të nënvlerësuar: shpërbërja e Un-it, në shumësinë e zbrazët të përfaqësimeve. Jetojmë në një gjendje ekspozimi të përhershëm dixhital. Çdo gjest regjistrohet, çdo fytyrë riprodhohet në piksel, çdo qëllim kapet dhe përpunohet algoritmikisht.
E megjithatë, ky mbiekspozim nuk krijon afërsi. Vetmia, të cilën guru-të e teknologjisë dixhitale e kishin shpallur të tejkaluar, është transformuar, ka ndërruar lëkurë. Nuk është më mungesë e tjetrit, por pamundësi për t’i shpëtuar vështrimit të tij të shpërqendruar dhe të kudogjendur. Është një vetmi e zhurmshme, e ngopur me sinjale që komunikojnë pa thënë asgjë. Nuk është vetmi e vërtetë, por një karikaturë e saj: e çtrupëzuar, ireale, sterile si çdo shfaqje e virtuales teknologjike.
Një vetmi dixhitale që nuk kërkon të dëgjohet, nuk lind pritshmëri dhe që ka shpërbërë shenjtërinë e sferës personale – atë dimension intim e të çmuar që, sipas Kierkegaard-it, ruan mendimet më të thella dhe heshtjet e pashpërndara, ato hapësira për vetëthellim e përqendrim që mbeten krejtësisht tonat, të paprekshme nga sytë e jashtëm.
Dikush do ta lexojë këtë si nostalgji romantike për kohët analoge. Përkundrazi, është një diagnozë e zhveshur e efekteve të teprisë dixhitale. Kemi kaluar nga të qenit “individë në marrëdhënie kuptimi” te të qenit “individë në marrëdhënie ekspozimi”.
Shfaqemi pa drojë, duke matur shkallën e ekzistencës sonë me pëlqime e ndjekësa, ndërsa humbim atë që e bën jetën të denjë për t’u jetuar: mundësinë e një tjetërsie të brendshme, të padukshme, të sfumuar. Ideologjia e aksesueshmërisë totale – bijë e kapitalizmit të survejancës tashmë të rregjur – na ka bërë gjithnjë të kapshëm, të lexueshëm, të gjurmueshëm. Dhe i ka zbrazur nga kuptimi takimet autentike. Lidhjet janë shumëfishuar, por vetmia mbetet.
Jo për mungesë zërash, por për një mbingarkesë aksesesh dixhitale që na izolon pikërisht në çastin kur na ekspozon. Në këtë skenë, edhe e parevokueshmja – thelbi i ndjenjave themelore të përvojës njerëzore si dashuria dhe miqësia – është dëbuar. Çdo fjalë, çdo qëllim, çdo reagim është i përkohshëm dhe revokohet me një klik. Ja pse kërkimi i një vetmie autentike është sot një zgjedhje etike, një gjest subversiv: do të thotë të ruash sekretin e un-it tënd individual që udhëheq sjelljen dhe përvojën personale.
Nuk është refuzim i tjetrit, por zona e fundit e rezistencës ontologjike, ku rizbulohet kompleksiteti i paarritshëm i jetës. Vetmia si masa e ripërtërirë e njerëzores, kufi i sigurt mes të qenit dhe dukjes, hapësirë vertikale gërmimi të brendshëm, si një pezullim pjellor i qenies që kërkon veten për të tejkaluar kufirin e materialitetit dhe për të pranuar “Ti je” përmes pohimit të “Unë jam”. Siç shkruante Rainer Maria Rilke, vetmia nuk është mungesë dashurie, por mënyra si shpirti e njeh dhe e krijon veten. Dhe, për ta thënë sipas Emil Cioran-it, nuk është një boshllëk për t’u mbushur, por një humnerë që hapet në thellësinë e shpirtit.
Dikur vetmia zgjidhej nga eremitët, artistët, mendimtarët si mjeti i privilegjuar i kërkimit të brendshëm; sot brendësia jo vetëm neglizhohet, por edhe cihet në dyshim. Kush i shmanget dukshmërisë rrezikon të perceptohet si margjinal, i parëndësishëm, thuajse i paqenë. Jemi edukuar të besojmë se vetëm ajo që shfaqet ekziston vërtet. E megjithatë, çdo përvojë e thellë – dashuria, zija, ndarja vetë – kërkon mbledhje mendsh, ngadalësi, dëgjim. Kushte të papajtueshme me ritmin e vrullshëm të dixhitales, ku çdo përmbajtje është e destinuar të tejkalohet, të përditësohet, të harrohet. Por jo çdo izolim është “i sëmurë”; përkundrazi, mund të jetë rast për frymëmarrje, për rishërim të çarjeve të brendshme, larg zhurmës dhe lidhjes që na bën transparentë dhe përbrenda të cenueshëm.
Të kërkosh të drejtën për të qenë pa u dukur, për të jetuar një kohë të lirë që nuk performon me çdo kusht, është ndoshta detyra më e ngutshme. Nëse në dimensionin dixhital trupi reduktohet në imazh, në një avatar të pandjeshëm, vetmia autentike është kthim te vetja trupore, te koha biologjike që, në dëgjimin e brishtësive tona, i kundërvihet tiranisë së çastit dixhital dhe i rikthen të vërtetën të qenit këtu dhe tani. Në një epokë ku gjithçka mendohet për t’u kthyer në përmbajtje dhe për t’u ndarë në rrjet, të kërkosh një hapësirë të paprekshme heshtjeje dhe mos-ekspozimi do të thotë t’i rikthesh vlerën intimitetit. Vetmia e zgjedhur me vetëdije nuk është formë arratisjeje, por akt përgjegjësie ndaj vetes. Dhe një truall pjellor ku të kultivohet ajo që nuk i përket logjikës së fitimit dhe performancës: butësia, brishtësia, reflektimi.
Kur Shën Augustini, tek Rrëfimet, shkruan «intimior intimo meo, et superior summo meo», ai nënkupton se e vërteta jonë më autentike fshihet brenda nesh, në intimitetin më të fshehtë, në atë vend sekret e të paprekshëm, të pakalueshëm për objektivitetin e pastër, ku arsyeja dhe ndjenja shkrihen. Aty, në jehonën e heshtur të atij strehimi të brendshëm, ndërthuren kujtesa dhe shpresa, gjykimi dhe dashuria. Asnjë algoritëm, sado i ndërlikuar, asnjë teknologji, sado e sofistikuar, nuk do të mundë kurrë të depërtojë në atë humnerë të shenjtë, në atë mbretëri të pashpjegueshme ku shpirti pyet veten, zgjedh dhe hapet ndaj Absolutes. / L’Espresso – Bota.al