Me ty jetova periudhën më të bukur të jetës

09 dhjetor 2019 | 10:14

Aktori i njohur Blerim Peci dy vjet më parë ka ndërruar jetë.

Sot, në përvjetorin e tij të dytë, atë e kanë përkujtuar familjarët e tij dhe kolegët e miqtë më të mirë e të ngushtë. Por, duket se dhembja nuk ka pushuar për bashkëshorten e tij, Afërdita Sopjani Peci, e cila, nëpërmjet një shkrimi publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se e ka të pamundur t’i gjejë dhe t’i shkruajë fjalët për njeriun që, me rastin e vdekjes, e la pa fjalë.

Ja shkrimi i saj:

Dy vjet pa ty, Beli

Me ty jetova periudhën më të bukur të jetës sime. Më duhet kohë e gjatë të besoj e të kuptoj se asaj kohe i erdhi fundi.
Nuk kam besim në vete se do të mund të arrij të besoj ndonjëherë se më nuk je në mesin tonë.
Jam e bindur që nuk mund ta bind veten se ti nuk ecën më rrugëve të Mitrovicës sate, më vone edhe simes.
E di që do të zhgënjehem kur pas dekadash do të pranoj se njeriu që nuk më zhgënjeu kurrë nuk jeton më.
E madhe është humbja e një njeriu të madh. Të tillë nuk të vlerësoj në aspektin e figurës publike sepse të tillë të vlerësuan qarqet artistike dhe publike. Unë të vlerësoj si njeri të madh, si njeri familjar.
E di që nuk do t’i gjej kurrë fjalët për të përshkruar një humbje që më la pa fjalë.
E di që nuk do të gjej ngushëllim kur të kuptoj se njeriu tek i cili gjeja ngushëllim për gjithçka u shua.
Nuk kam ku të emigroj, t’i shmangem tronditjes së thellë, nëse dikur do të arrij të besoj se ti emigrove për në amshim.
E vetëdijshme që fjalët nuk kanë forcë të shprehin asgjë në krahasim me atë që do të doja të shprehja, po të them se ti mbetesh Beli im derisa edhe unë të mbetem në këtë botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sërë aktivitetesh janë paraparë të mbahen në kuadër të…