Me urdhër të Prokurorisë Speciale, forcat policore dhe antidroga bastisin Prishtinën, Gjilanin, Suharekën, Pejën e Vitinë

03 qershor 2025 | 09:54

Një aksion i gjerë antidrogë është zhvilluar sot në Prishtinë, Gjilan, Suharekë, Pejë dhe Viti, nën urdhërin e PSRK-së, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve, të asistuara nga Forcat Speciale të Policisë së Kosovës, kanë zbarkuar në disa lokacione të dyshuara si pjesë e një rrjeti kriminal të përfshirë në shpërndarjen e narkotikëve.

Burime të sigurta bëjnë me dije se bastisjet janë kryer me urdhëresa të lëshuara nga gjykatat kompetente, në kuadër të një hetimi të koordinuar me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjatë aksionit janë arrestuar disa persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me tregtinë e substancave narkotike.

Aktualisht, intervistimi i të arrestuarve është në proces dhe ende nuk është konfirmuar nëse të gjithë do të ndalohen me vendim të prokurorisë.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar, para të gatshme, armë, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale, që lidhen me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve.

Operacioni është ende në zhvillim dhe Policia nuk e përjashton mundësinë e arrestimeve të tjera gjatë ditës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësiti i Hetimeve i Stacionit të Policisë në Graçanicë, me…