
Me urdhër të Rubios, pushohen nga puna 1300 punonjës në DASH, mes tyre edhe Yuri Kim, ish-ambasadorenë Shqipëri
Një situatë e pazakontë u zhvillua sot jashtë godinës së Departamentit të Shtetit, ku dhjetëra punonjës të pushuar nga puna lanë ambientet mes lotësh dhe me sendet e tyre personale në duar.
Kjo vjen pas njoftimit zyrtar të bërë një ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në zbatim të një urdhri të Sekretarit Marco Rubio, për një riorganizim të thellë që ka sjellë largimin e mbi 1.300 punonjësve.
Në mes të atmosferës së rënduar dhe protestave spontane, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi prania e ish-ambasadores amerikane në vendin tonë, Yuri Kim e cila iu bashkua protestuesve në trotuarin përballë godinës. Kim u filmua teksa ngushëllonte disa prej ish-kolegëve të saj.
“Është një ditë e trishtë për Shërbimin e Jashtëm dhe për të gjithë ne që kemi shërbyer në këtë institucion me përkushtim”, thuhet të ketë deklaruar ish-ambasadorja, ndërsa të pranishmit e përshëndetën me duartrokitje.
Qindra protestues, përfshirë ish-punonjës dhe mbështetës të tyre, mbanin pankarta kundër asaj që e quajnë një “spastrim politik” nga administrata Trump. Të larguarit u shoqëruan me duartrokitje dhe përqafime, në një atmosferë të mbushur me emocione dhe shqetësim për të ardhmen.
Ky zhvillim përbën një nga riorganizimet më të mëdha të Departamentit të Shtetit dhe ka shkaktuar reagime të forta nga brenda dhe jashtë administratës.