
Mediat: Izraeli pranon marrëveshjen për armëpushim 60-ditor me Hamasin
Hamasi dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim 60-ditor në Gaza. Kjo raportohet nga mediat ndërkombëtare, sipas të cilave i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, u informua mbi këtë marrëveshje.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi gjithashtu se Izraeli “miratoi dhe mbështeti” planin e propozuar të Donald Trump për armëpushim për Gazën.
“Izraeli e miratoi këtë propozim përpara se t’i dërgohej Hamasit. Mund të konfirmoj gjithashtu se këto diskutime po vazhdojnë dhe shpresojmë që të arrihet një armëpushim në Gaza, në mënyrë që të mund t’i kthejmë të gjithë pengjet në shtëpi”, deklaroi ajo.
Leavitt tha se nuk mund të komentonte më tej dhe se nuk e dinte nëse Hamasi e kishte pranuar propozimin.
“Sigurisht, nëse kjo ndodh dhe armëpushimi hyn në fuqi, do ta dëgjoni nga unë, presidenti ose i dërguari special Witkoff”, shtoi ajo.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u kishte thënë më parë familjeve të pengjeve se Izraeli është gati të ecë përpara me një marrëveshje për pengjet dhe armëpushim në Gaza bazuar në një propozim të ri nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.
Ambasadori palestinez në OKB Riyad Mansour, shpërtheu dje në lot para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke përshkruar vuajtjet “e padurueshme” të fëmijëve të Gazës.
Në fjalimin e tij, Mansour foli për kushtet çnjerëzore në të cilat jetojnë palestinezët në Gaza, në një kulm emocionesh që kulmoi me lot kur foli për fëmijët që vdesin nga uria për shkak të bllokadës së vendosur nga Izraeli dhe që kohët e fundit është lehtësuar në një masë që nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e popullsisë.
“Kam nipër e mbesa… E di çfarë do të thotë kjo për familjet e tyre”, tha Mansour, me duart në kokë, ndërsa fliste për familjet palestineze që humbasin fëmijë të vegjël nga uria ose sulmet “shkatërruese” si ai në Khan Yunis që vrau nëntë nga 10 fëmijët e Dr. Alaa të premten e kaluar.
Ndërkaq forcat Mbrojtëse Izraelite ngritën flamurin izraelit në majë të xhamisë në Tulkarem, qytetin palestinez në Bregun Perëndimor veriperëndimor. Flamuri u ngrit në kupolën e Xhamisë Abu Bakr al-Siddiq në kampin e refugjatëve Nur al-Shams në Tulkarem.
Një seri sulmesh izraelite ndaj ndërtesave të banimit në kampin e refugjatëve Bureij në Rripin qendror të Gazës ka vrarë 19 persona, raporton Al Jazeera, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.