Mehaj pret në takim lamtumirës komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bashkë me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe zyrtarë e oficerë të MM-së dhe FSK-së, pritën me nderime të larta në vizitën e tij lamtumirës, komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajor, Benjamin Corell.
Me këtë rast për shërbimin e tij të paçmim dhe kontributin e dhënë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Gardës Kombëtare të Iowas, ministri Mehaj ka dekoruar gjeneralin Corell me Medalje për Shërbim të Shquar.
“Gjeneral Corell do të mbetet mik i përjetshëm i Republikës së Kosovës, ngase i pakursyer ka qenë në angazhimin e tij për të mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale dhe operacionale duke e konsideron gjithmonë si partner besnik në zhvillimin e misioneve të përbashkëta, e realizimin e operacioneve paqeruajtëse”, ka theksuar Mehaj.
Ai ka deklaruar se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkëlqyer në mes dy shteteve dhe forcave, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Ndajmë po të njëjtat synime, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”, ka deklaruar Mehaj.



